Ballina Aktualitet Kultura Tri kohët e publicistikës së Aleksandër Xhuvanit

Tri kohët e publicistikës së Aleksandër Xhuvanit

Prof. Hamit Boriçi

I.

Profesor Aleksandër Xhuvani, personalitet i shquar i kulturës dhe i shkencës shqiptare, “Mësues i Popullit”, dijetar e publicist, veprimtar politik e shoqëror, lindi me 14 mars të vitit 1880 në një familje të varfër qytetare elbasanase. Mësimet fillore dhe ato qytetëse i kreu në shkollat greke të qytetlindje. Studimet e mesme i vijoi në gjimnazin grek të Cotilit në Maqedoni. Gjatë viteve 1902 -1906 vijoi studimet e larta në Fakultetin Filologjik të Athinës. Kualifikimin pasuniversitar e kreu në Kolegjin Arbëresh “Shën Dhimitër Korona” për letërsinë shqipe te arbëreshëve. Ndërkohë u muar me studime shkencore në fushën e gjuhësisë shqipe.

Në fundvitin 1908 u kthye në atdhe Kalabria egji arbëresh i Kalabrisë “Shën Dimitër Korona” në vitin 1908. Iu përkushtue çështjes së gjuhës shqipe. Është një ndër mësimdhënësit e gjuhës shqipe në Shkollën Normale që hapi dyert në dhjetor të vitit 1909 në qytetin e Elbasanit. Në verën e vitit 1910 Xhuvani shkon në Kairo ku, së bashku me Mihal Turtullin, Filip Shirokën dhe Andon Zako Çajupin themelojnë shoqërinë shqiptare Bashkimi. Rikthehet në Shqipëri në vitin 1913, drejtor i Shkollës Normale. Më 1916 punoi në Komisinë Letrare të Shkodrës.

Gjatë viteve l946-l951 emërohet drejtues i Seksionit të Gjuhës e të Letërsisë në Instituti e Studimeve në Tiranë (më vonë i quajtur Institut i Shkencave (janar l947-shtator l953), ku merret me organizimin e jetës shkencore e pedagogjike në vendin tonë.

U nda nga jeta në vitin 1961.

II.

Veprimtarinë publicistike e zhvilloi në tri kohë. E para shtrihet në vitet 1905 – 1908. Hapat në këtë udhë i hodhi qëkur ishte me statusin e kërkuesit shkencor në kolegjin arbëresh. Gjatë dy viteve të jetës pasuniversitare shkroi e botoi artikuj për gjuhën shqipe dhe lëvizjen kombëtare shqiptare. Emri i tij, më së shumti me pseudonime, gjendet në të përkohshmet: “Albania” të Konicës, “Dielli” (Boston,Sh.B.A), “Drita” e Sofies, (1901-1908), drejtuar nga Shahin Kolonja; “Shqipëria ” e Milo Duçit në Egjipt (1906-1907);, “Shpnesa e Shcypeniis” (1905-1908), që Nikolla Ivanaj botoi rradhas në Raguzë, në Trieste dhe në Romë, etj.

Përmes këtyre fletoreve Aleksandër Xhuvanit ishte bërë i njohur edhe tej Shqipërisë edhe botës arbëreshe në Itali, por edhe në ngulime e komunitete shqiptare në Ballkan e në Europë, përfshirë edhe mërgatën shqiptare të Egjiptit. Milo Duçi ( Milo Duçi ishte një nga djemt e Korçës që emigruan në Egjipt në dhjetëvjeçarin e fundshekullit XIX. I përkushtuar çështjes kombëtare, një nga themeluest e Shoqërisë “Vëllazëria” edhe kryetar i saj, botoi disa gazeta e revista, si “Toska” (1901-1902), “Besa-Besë”, më 1904 “Besa” (në bashkëpunim me veteranin e shtypit shqiptar Thoma Abramin), “Shqipëria” ( 1906-1907), etj) e ftoi të bashkëpunonte me gazetën “Shqipëria”.

Gazeta “Shqipëria” ishte e vetmja e përkohshme shqiptare në Kairo deri më 1 mars 1977 kur doli në qarkullim “Pellazgu” jetëshkurtër i Sami Kullës dhe simotrës “Shkopi” të Jani Vruhos”, që doli më 20 mars 1907. Milo Duçi, në konsultime edhe me Aleksandër Xhuvanin, përpunoi platformën e fletores, thënë ndryshe, politikën editoriale. Në editorialin e numrit të dytë, me titull “Në vënt të programit”, paraqitet misioni,“…Qëllimi i “Shqipërisë” është të mpronjë të drejtat e kombit, të lëvdonjë ata mëmedhetarë që janë për të lëvduar, të qërtonjë ata që janë për të qërtuar për punë kombësie”…“Në punë të veçanta nuk trazonemi”…’Letrat dhe artikullat i presim me gëzim të madh nga kushdo që të jenë, nuk jemi detyrakë të botojmë dhe ato që janë kundër qellimit tonë…”. (Gazeta “Shqipëria”, Kairo (Egjipt), nr. 2, dt.11 tetor 1906 )

Xhuvani kryeredaktor shkroi e botoi edhe artikuj me tema e probleme të kohës, por vëmendje të veçantë i kushtoi ndërgjegjësimit për njohjen dhe mësimin e gjuhës shqipe si faktor identiteti kombëtar e domosdoshmëri për zhvillimin kulturor e qytetar të shqiptarëve.

Ai merrej me çështje të alfabetit e të shkollës shqipe. Në dy artikuj me të njëjtin titull “”Dy fjalë për abe-në”, me pseudonimin “Dok Sula”, paraqet pikëpamjet e redaksisë për një alfabet të përbashkët latin. Në shkrimin e parë arsyeton: “Çashtja e Abe-së që duam të zgjedhim sot, nuk asht aq e randë, sa ajo e përlindjes shqiptare, tek e cila ma tepër lypset me i kushtue fuqiat e mendimeve tona”. Ndërsa në të dytin shkrim publikohen disa pikëpamje që gjallonin asokohe për abe-të, të Shkodrës e të Stambollit.

Fletorja ishte për një shqyrtim të përgjithshëm kombëtar të çështjes së abe-së me një mbledhje të madhe “të përfundjesë (definitive)”, e cila “do të marrë vepër-shkrimet e gjithë shoqërive, t’i vërtetojë (verifier)… dhe “të ketë zërat e përfundisisë”, vendimin për një alfabet kombëtar”.

* * *

Koha e dytë është ajo e pasviteve 1910-në Kairo me Milo Duçin etj kontribuoi u muar me gazetari për çështjen kombtare, duke mbrojtur me zellë e patriotizëm të flaktë të drejtat e popullit shqiptar. Kjo është edhe periudha e mirëfilltë e veprimtarisë publicistike e Xhuvanit, gazetar e publicist aktiv si autor i shumë shkrimeve në disa fletore të mërgatës shqiptare, por edhe si drejtues mediash dhe redactor-kryeredaktor.

Ai iu përkrah shkrimtarëve e publicistëve atdhetarë si Spiro Dine, Çajupi,, Filip Shiroka, Milo Duçi, Thanas Tashko, Jani Vruho etj, që ruajtën e përcollën brezni të gjuhës, të traditave kombëtare. Ndaj iu besua detyra e redaktorit (kryeredaktorit) të përjavshmes “Shkreptima”. (“ Fletorja “Shkreptima”, gazetë politike , shoqërore, ulturore, pedagogjike, letrare etj në gjuhën shqipe (g) dhe pjesërisht frëngjisht, turqisht e greqisht. Drejtohej n ga F. Toptani, Redaktor A. Xhuvani, Garant )

Editorialët, në të shumtën e herës shkruheshin nga redaktori, duke filluar nga paraqitja e platformës. Në te shpjegonte: “Emnin gazetës ia vumë “Shkrepetima”. Me këtë fjalë nuk duam të thomi se asht ajo shkreptimë që sjell bubullimat e rrufetë, që djeg e tretë, por asht ajo shkreptimë e butë që në errësirën e madhe ndriçon një copë herë udhën e udhëtarit,që mos të pengohet nëpër gurët, që mos të zhytet në ujnat e në baltë”. Dhe shpreh dëshirën që “Shkreptima”:..”…të na hapë sytë e mendjes e të njohim mirë, po fare mirë, si kemi qenë, si jemi sot dhe si lypset të jemi nesër. ( Gazeta “Shkreptima”, Kairo –Egjipt, l2 të vjeshtës së parë 1910 )

“Qëllimi i fletës sonë , shkruan në rtikullin promovues, asht që të gjejmë pse Shqipnia ka mbetun e ka ngelun në errësirë kur kombe të tjerë që janë rreth e qark u ndriçune e morën udhën e mbarë ?…Pse kombi shqiptar, që i thuhet trim e i squet dhe i zoti, mbeti i paditur, si kau në zgjedhët”.

Shkrimet e Xhuvanit, me firmë, pseudonim apo pa firmë ,shquhen nga gjuha e njëtrajtshme e gazetës, gegë elbasanase që ai praktikon, por qartë kuptueshëm edhe për lexuersin toskë.

Ai shtron probleme qenësore për Shqipërinë dhe kombin shqiptar, duke filluar nga bashkimi i shqiptarve e zbuluar shkaqet që bëhen pengesë për një lidhje e bashkëpunim shoqëror e qytetar; kritikon ndikimin e ndasive fetare kur shkruan: “puna e fevet edhe tue qenë të gjithë djem të atij Atdheu, na kanë da e na kanë shti helmin e mnijen e shoqi-shoqit”; sugjeron që këtë bashkim ta bëjmë ”në seicilin fshat ku s’duhet te shikojmë ma ndryshime fenash, por të themelojmë gjithçka lidhet me kombin dhe pa frikë me kërkue të drejtat tona”; kritikon fenomenin e vëllavrasjes, “hakmarrjen e gjakmarrjen”-

“Papunësia asht nana e të gjitha të ligave “- shkruan Xhuvani në artikullin me titull “Duhet” dhe shfaq mendimin se: ‘Duhet të organizohemi,,të harrojmë të ligat e lajthimet e bame prej ndokujt, këtë vetëm për të mirën e pergjithëshme të kombit dhe kjo do të fitohet me bashkim, vëllaznim, organizim. (Gazeta “Shkreptima”, Kairo –Egjipt, viti 1910, nr. 9 ) Dhe ngulmom: “Ka ardhur koha t’i mblidhemi pra kësaj mame, të bashkohemi ndën krahët e saj, ne duam të fitojmë dashuri dhe nderime, të mos e lëjmë porsi klloçka qe i ka zogjët e saj të shpërndamë…”.

Në shkrimin “Kush janë fajtorët” u drejtohet lexuesvet: ” A e dini ju këndonjës të dashtun cilët janë ata shqiptarë “fajtorë”, që ndiqen, zihen, rrihen, burgosen e çatdhesohen prej Qeverisë Konstitucionale të Turqise ?” Dhe vetë përgjigjet:..”janë gjithë ata atdhetarë të flaktë, njerëz të ndershëm që kanë përkrahun dhe i kanë ndihmue me çdo mnyrë në hapjen e dritës të qytetetnimit në vendin tonë,… me një fjalë, “fajtorë qënkan të gjithë ata shhqiptarë që kanë diftu dashuni për kombin e për gjuhën e tyne”.

Gazeta ndjek ngjarjet e zhvillimet në Shqipëri dhe përmes kronikave e lameve nga bashkëpunëtorët ua përcjell lexuesëvet, duke mbajtur qëndrim. Rëndësi i jepet pasqyrimit të kryengritjeve të viteve 1910 -1911, veçanërisht kryengritjes së e malsisë së Shkodrës. Xhuvani kritikon barbarizmat e ushtrisë osmane dhe qëndrimet dhe veprimet shoviniste të shteteve fqinjë. Me këtë rast në faqet e “Shkreptimës” publikohet edhe “Memorandumi i shqiptarëvet qi kanë dalun malevet”, duke kërkuar liri të plotë për të gjithë shqiptarët si dhe hapjen e shkollavet. …”. (Gazeta “Shkreptima”, Kairo –Egjipt, nr. 11 )

Çështjet e gjuhësisë, të letërsisë, të kulturës dhe të diturisë zinin vend të dukshëm. Përveç shkrimeve të mësuesit profesionist Aleksandër Xhuvani, bashkëpunëtorë si Jakin Shkodra (Luigj Gurakuqi), Geg Postripa (Filip Shiroka) e Jani Vruho e pasuronin fletoren “Shkreptima” me artikuj të vlertë të këtyre fushave të jetës.

Nën titullin “Na duhen libra”, autori ngrinte zërin: “Nuk duhet harruar se, ma parë e ma dalë, kemi nevojë për libra shkollorë e për libra mjeshtërish, për me përhapur dritën e qytetnimit, njiherit edhe mësimin e gjuhës shqipe ‘për me vu themelet e një kulture të vërtetë”, pasi, siç shprehej Xhuvani, “Ditunia asht syni i trunit”.

“Shkrepetima” botonte rubrika të ndryshme si për gjuhësinë, letësinë, tregime-rrefenja, për dije kulturore e shkencore, për kuriozitete etj, por gjithmonë me përmbajtje edukative. Një nga rubrikat që mirëpritej nga opinioni publik për emancipimin e shoqërisë ishte “Shtylla e grave”.

Duhet vënë në dukje se kjo e përdyjavshme në rrafshin politik trajtonte edhe probleme të marrëdhënieve me jashtë, siç ishte rasti i qëndrimit ndaJ politikës zyrtare të Italisë së atyre kohëve, duke shprehur mendimin se “..shqiptarët nuk janë të marrë dhe i kuptojnë te gjitha ato djallzi”. (Gazeta “Shkreptima”, Kairo –Egjipt, nr. 19. )

Dijetari i shquar, profesor Holger Pedersen shkruente nga Kopenhagen: “Me shumë gaz mora fletën “Shkreptima”. Tungjatjeta!; ndërkohë që censura turke reagonte nëpërmjet postës së saj, duke ndaluar “Shkreptimën” të hyjë në Shqipëri dhe e kthente në Egjipt në adresë të botuesit.

Aleksandër Xhuvani punën intensive misionare si redaktor (kryeredaktor), me modesti e quante si “…një xixë e vogël përpara yjeve që i kanë ndritun e janë tue ndriçue në Shqipni për gjithanë e nga shumë kohë”.

* * *

Koha e tretë, e pasvitit 1912,karakterizohet nga aktivizimi i Aleksandër Xhuvanit si bashkëpunëtor i shtypit me artikuj problemorë e studimorë nga fusha e arsimit, edukimit e shkencës si drejtues i arsimit dhe të shkencës edhe në institucione kërkimore shkencore në Tiranë. Emri i tij gjëndet në koleksionet e revistave arsimore e kërkimore shkencore, por edhe në ato politike e shoqërore, duke filluar me gazetën e qeverisë së Vlorës “Përlindj’e Shqipeniës” ( 1913- 1914) dhe vijuar me të përditshmet e Tiranës si gazeta “Besa” (1931-1936).

Gjatë atyre kohëve ai kontribuoi edhe në krijimin e mediave të ndryshme të profilit pedagogjik, letrar e shkencor.. Aleksandër Xhuvani themeloi e drejtoi revistën “Kopshti letrar”. (E përmuajshme, organ i “Qarkut letrar” Elbasan revistë letrare pedagogjike, gjuhësore, kulturale, folkloristike etj. në gjuhën shqipe (g) prej 16 faqesh. Numri i pare doli në gusht 1918 Vijoi edhe më 1919 ? – Shih Revista “Studime historike”, Tiranë, 171. Nr. 4, f. 223 )

Një nga përkujdesjet e tij ishte edhe botimi i një reviste të Shkollës Normale të Elbasanit për çka nxiti dhe frymëzoi nxënësit nismëtarë që projektuan dhe nxorën në dritë revistën e tyre “Normalisti”, e përmuajshme e nxënësve të Shkollës Normale të Elbasanit, që përgatitej dhe drejtohej nga vetë ata në gjuhen sgqipe. Numri i parë në mars të vitit 1929 dhe u botua deri më 1937.

@tn.lajmelokale
@tetovanews