Ballina Aktualitet Lajme Inxhinieri turk për ABC: I ndjeva lëkundjet teksa po inspektoja ndërtesat, autoritetet...

Inxhinieri turk për ABC: I ndjeva lëkundjet teksa po inspektoja ndërtesat, autoritetet na paralajmëruan për tërmete

Vetëm pak minuta pas dy tërmeteve me magnitudë 5.8 dhe 6.4 të shkallës Rihter që goditën Turqinë mbrëmjen e kësaj të hëne, ABC News pati një intervistë ekskluzive me Inxhinierin Turk Sadik Jurek, i cili ndodhej në Gaziantep ku po inspektonte dëmet e shkaktuara në ndërtesa nga tërmetet shkatërrimtare të 6 shkurtit.

Jurek tregoi përjetimet e para të qytetarëve atje, të cilët edhe pse 250 kilometra larg epiqendrës kanë ndjerë lëkundjet e forta.

“Unë po qëndroja në hollin e hotelit, ndjemë dridhjet e dyerve dhe xhamave. Shumica e njerëzve ishin në panik total, ata nisën të bërtisnin. Të gjithë u dyndën që të dilnin jashtë ndërtesës. Kjo ndodhi në të gjitha qytetet pranë epiqendrës së tërmetit. Njerëzit nxituan të merrnin makinat e tyre dhe të largoheshin.

Nuk e di se ku po shkonin, ndoshta në parqe ose në hapësira të cilat nuk kanë ndërtesa rreth e rrotull. Të gjithë janë të pushtuar nga paniku, po presin që ky shok të përfundojë. Njerëzit janë të frikësuar, është natë dhe ata mendojnë se çfarë do të ndodh nëse lekundjet do të vijojnë në orët në vijim. Ata thjesht po qëndrojnë jashtë banesave të tyre“, tha inxhinieri.

Sadik Jurek tha se të dielën, Qendra Turke për menaxhimin e Fatëkeqësive dhe Emergjencave kishte parlajmëruar qytetarët se mund të kishte tërmete të mëdha.

“Të dielën, qendra për menaxhimin e Fatkeqësive dhe Emergjencave kishte paralajmëruar se mund të ketë tërmete të një magnitude 6 të shkallës Rihter apo edhe lëkundje më të mëdha se kaq. Ata iu kërkuan qytetarëve që të tregonin kujdes sepse probabiliteti ishte i lartë dhe mbrëmjen e së hënës tërmetet ndodhën“, shtoi ai.

Teksa fliste me duart që i dridheshin, inxhinieri Turk tregoi edhe historinë e një prej familjarëve të tij që mbeti nën rrënojat e tërmeteve të mëparshme.

“Dy javë më parë kushërira ime mbeti nën rrënojat e apartamentit ku banonte. Motra e saj e madhe e shpëtoi atë. Ajo është në Spital tani dhe po e merr veten. Fatmirësisht të gjithë familjarët e tjerë të mijtë janë mirë falë zotit.”, përfundoi inxhinieri./abcnews.al