Në fillim u duk si një sherr i thjeshtë mes miqsh në një kafene. Pastaj diskutimi u zhvendos jashtë dhe aty ndodhi tragjedia. 43-vjeçari Volkan Kahraman, ish-mesfushori i kombëtares austriake me origjinë turke, është qëlluar për vdekje në mes të një rruge në Vjenë.
VRASJA E DYFISHTË
Vrasja ka ndodhur mëngjesin e djeshëm në periferi të Simmering. Vrasësi Orhan, një biznesmen 46-vjeçar i lidhur me botën e sportit, më pas qëlloi veten. Nuk shërbeu për asgjë ndihma mjekësore. Të dy kanë gjetur vdekjen e menjëhershme. E pamjet e trupave të tyre të shtrirë në rrugë, në mes të një pellgu gjaku, tronditën mbarë Austrinë. Nga hetimet e policisë u zbulua se Volkan dhe Orhan njiheshin mirë dhe ishin miq prej kohësh. Motivi nuk është ende i qartë. Por, sipas zërave të mediave austriake, xhelozia ka qenë në bazë të vrasjes.
Në vitet nëntëdhjetë Kahraman ishte një nga talentet e lindur në futbollin austriak. Në moshën 17-vjeçare ai u ble nga Feyenoord. Por karriera e tij, e ndarë mes ligave holandeze, austriake, turke dhe greke, nuk u ngrit kurrë në nivel. Në vitin 2003, në kohën e Salzburg, ai sfidoi (dhe eliminoi) Udinese në Kupën UEFA. Kahraman ka veshur fanellën e kombëtares austriake tre herë. Ai pasi ndaloi futbollin e luajtur nisi të drejtojë si trajner. Pastaj u hodh edhe në politikë. Aq sa në vitin 2017 kandidoi për zgjedhjet e Këshillit Kombëtar në radhët e Partisë Popullore.