Ballina Argëtim Jetë & Stil Një shqiptar nga Kosova dhe një serbe thyejnë paragjykimet, u njohën në...

Një shqiptar nga Kosova dhe një serbe thyejnë paragjykimet, u njohën në rivierën kroate, tani jetojnë në Prishtinë: Dashuria është më e fortë se ndarjet etnike dhe politike në rajon

Një shqiptar dhe një serbe thyejnë paragjykimet: Dashuria është më e fortë se ndarja etnike dhe politike në Kosovë

Konflikti mes Serbisë dhe Kosovës nuk mund të pengojë një vajzë serbe dhe një shqiptar të dashurohen. Pavarësisht sfidave me të cilat përballen, ata jetojnë të lumtur dhe së bashku në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë.

Genti dhe Suzana rrëfejnë për Deutsche Welle-n rrugëtimin e tyre të dashurisë përmes prizmit të sfidave të të rinjve të zakonshëm në vendet e rajonit. Çifti i ri thotë se lidhja e tyre e dashurisë ka nisur rastësisht diku në maj 2021 gjatë periudhës së verës në Kroaci, ku Suzana punonte si kamariere, ndërsa Genti punonte në ndërtim. Siç shprehet ai, sytë e tyre u ndeshën kur Genti e ftoi për një pije Suzanën.

“Normalisht nuk do ta kisha pranuar kurrë një ftesë të tillë, sepse kështu më kanë rritur prindërit, por… kolegët më kanë shtyrë të iki. Ne të dy filluam një bisedë. Gjëja e parë që kishim të përbashkët ishte se ne refuzonim diskutimet dhe paragjykimet për përkatësinë etnike. Më ka pëlqyer që në fillim”, thotë Suzana, duke shtuar: “është një person i ndershëm dhe i sjellshëm”.

Suzana është një fëmijë i vetëm. Ajo ka prindër serbë dhe ka lindur në Bosnje dhe Hercegovinë. Pas luftërave në ish-Jugosllavi, familja u shpërngul në Serbi, në qytetin e Novi Sadit të Vojvodinës, ku në mesin e serbëve jetojnë hungarezë dhe rumunë. Prindërit e Suzanës donin të jetonin në një mjedis multietnik dhe multikulturor.

“Unë quhem Suzana rastësisht, prindërit e mi nuk donin të më vendosnin një emër tipik serb,” thotë ajo.

Genti është fëmija i dytë mashkull në një familje shqiptare që është rritur në Ferizaj, në jug të Kosovës. Ai ra në kontakt me kombësi dhe fe të tjera që herët, pasi familja e tij kishte miq nga Bullgaria dhe disa të afërm të largët të besimit jomusliman.

Në familjet tradicionale shqiptare është më e vështirë të pranosh bashkëshortë joshqiptarë. Etërit si kryefamiljarë thonë fjalën e tyre të fundit – për këtë Genti mund të përjashtohej nga familja.

Pasi prindërit e tij u takuan me Suzanën, heshtja dhe rezerva e tyre u zhdukën, Suzana fitoi menjëherë zemrat e tyre.

Gjatë kohës së ish-Jugosllavisë, martesat shqiptaro-serbe nuk ishin të zakonshme. por nuk ishin as krejtësisht të pazakonta, pasi barrierat fetare dhe etnike u hoqën në masë të madhe. Aktualisht, të dy vendet nuk i njohin dokumentet apo kualifikimet shkollore të tjetrit.

– Fatkeqësia la gjurmë kur Sllobodan Millosheviqi u bë gjithnjë e më i fuqishëm në Serbi në mesin e viteve 1980 dhe arriti të bëhej president i ish-republikës jugosllave. Ai udhëhoqi një politikë gjithnjë e më nacionaliste, antishqiptare, kufizoi të drejtat e pakicës shqiptare dhe përfundimisht Kosovës ia hoqi statutin e autonomies.
Në vitet 1990, shkeljet gjithnjë e më të rënda të të drejtave të njeriut nga shteti serb kundër shqiptarëve të Kosovës kulmuan me Luftën e Kosovës të viteve 1998/99. Millosheviq më vonë u padit në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë për krime lufte në Kosovë, por vdiq para se të dënohej.Megjithëse lufta përfundoi 23 vjet më parë, ende nuk ka paqe mes Serbisë dhe Kosovës. Probleme të pazgjidhura,
Suzana dhe Genti nuk besojnë në pengesat politike dhe paragjykimet shoqërore.

“Askush prej nesh nuk merret me të shkuarën, ne shikojmë vetëm të ardhmen”, thotë Genti.

E dashura e tij Suzana shton: “Ne nuk shikojmë TV, sepse këtu nuk dallojmë dot propagandën nga lajmet”.

Suzana filloi studimet për juridispudencë në Serbi. Por pas njohjes me Gentin, ajo i ndërpreu studimet, pasi u shpërngulën në Prishtinë. Genti vazhdon të punojë në ndërtim, ndërsa ajo studion për ballkanistikë në Universitetin e Prishtinës. Është një fushë me shtrirje të gjerë – thotë ajo – pas diplomimit mund të punoj si konsulente, pedagoge apo përkthyese, përfundon ajo.

Genti dhe Suzana kanë ende shumë miq nga e kaluara në jetën e tyre së bashku. Pak prej tyre u distancuan pasi mësuan për dashurinë serbo-shqiptare, ndërsa shumë miq të tyre janë nga vende të tjera dhe nuk e kishin problem një marrëdhënie të tillë.
Megjithatë, Suzana është e kujdesshme në komunikimin e saj të përditshëm nëpër Prishtinë. Ajo ende nuk flet shqip, dhe në jetën e përditshme, për shembull, kur shkon në pazar, flet anglisht, dhe kjo nuk është problem në Prishtinë, sepse atje jetojnë shumë të huaj dhe tregtarët janë mësuar me anglishten. “Nuk kam pasur asnjë problem deri më tani”, thotë ajo.

Genti nuk mendon se Suzana do të ketë probleme në Prishtinë. Por ai ka frikë nga ndonjë inat ndaj familjes së tij nëse marrëdhënia e tyre bëhet publike.

Banesa e tyre në Prishtinë është e vogël, por e mbushur me dashuri. Ata ëndërrojnë të kenë shumë fëmijë dhe të bëhen një familje e madhe. Për ta është e rëndësishme që fëmijët të rriten duke folur tre gjuhë: shqip, serbisht dhe anglisht.

“Ne nuk duam që fëmijët tanë të identifikohen me asnjë komb apo grup etnik,” thonë Suzana dhe Genti. “Ne duam që ata ta shohin veten si njerëz”, ka thënë çifti, i cili nuk ka dashur t’i zbulojë mbiemrat e tyre për shtypin gjerman./Përshtati në shqip: tetova.com