Ballina Top Lajm LAJM I TRISHTË/Ndahet nga jeta veprimtari tetovar në Danimarkë, Profesor Haki Bilalli!

LAJM I TRISHTË/Ndahet nga jeta veprimtari tetovar në Danimarkë, Profesor Haki Bilalli!

Më datë 18 prill të vitit 2023, në Kopenhagë ndërroi jetë profesori Haki Bilalli.

Haki Bilalli lindi më 21 tetor 1946 në fshatin Leshnicë dhe ndërroi jetë pas një sëmundjeje të gjatë.

Profesor Haki Bilalli, pasi kreu shkollën e mesme, studimet universitare i vazhdoi në universitetin prestigjioz të Zagrebit, ku edhe diplomoi me sukses në vitin 1980.

Fillimisht, ai shërbeu si shef i Zyrës së Vendit në fshatin Grupçin të Zhelinës. Më pas u angazhua si profesor në Gjimnazin e Tetovës “Kiril Pejqinoviq”, ku ligjëronte lëndën e sociologjisë.
Në vitet e 80-ta kur shqiptarëve u digjej zalli nën këmbë, kur sistemi serbo-sllav i atëhershëm, përveç dhunës në të gjitha sferat e jetës, nuk do mend, që halë në sy e kishte edhe arsimin, ku mes të tjerash bëhej diferencimi mes arsimtarëve dhe profesorëve që nga shkollat fillore e të mesme dhe deri tek e larta.

Duke parë burgosjen e kolegëve të tij dhe presionin e vazhdueshëm nga sistemi, ai e pa më të arsyeshme të largohej nga vendlindja në vitin 1988/89 për t`u vendosur në Kopenhagë të Danimarkës.

Atë kohë në Kopenhagë vepronte shoqata shqiptare ”Besa” dhe ai dha kontributin e tij në aktivitetet kulturore të kësaj shoqate si dhe në demonstratat sensibilizuese kundër dhunës së regjimit jugosllav të asaj kohe. Profesor Haki Billalli u angazhua dhe në organizatën ilegale politike, për nëndegën e Danimarkës – Lëvizja Popullore e Kosovës (LPK).

Veç tjerash, Profesor Haki Billalli, ka dhënë kontribut të veçantë si arsimtar në mësimin plotësues të gjuhës shqipe, për fëmijët shqiptarë në Danimarkë – angazhim për të cilin i gjithë komuniteti shqiptarë në Danimarkë do i jemi gjithmonë mirënjohës. Përkushtimi i tij ndaj arsimit ka aftësuar gjenerata të plota dhe ka mundësuar ruajtjen e gjuhës mes komunitetit shqiptar për shumë vite. Këtij misioni ai i shërbeu dhe nëpërmjet valëve të Radio Projekt 21, në Kopenhagë, ku së bashku me stafin e radios zhvillonte tema të rëndësishme reth asimilimit dhe shpërnguljes së shqiptarëve nga vendlindja, që vazhdon ta shqetësojë komunitetin shqiptar në Danimarkë.

Profesor Haki Bilalli shquhej për angazhimin e tij ndaj ruajtjes së vlerave kombëtare në komunitetin tonë – gjurmët që la pas dhe urtësia e tij do ngelen udhërrëfyese dhe të paharruara për ne.
Ai la pas bashkëshorten Nesmijen dhe dy fëmijët, Mirjetën dhe Bujarin si dhe nipër e mbesa.

TË JETOSH NË MESIN E ATYRE QË LË PAS, DO TË THOTË TË MOS VDESËSH KURRË…

Në emër të komunitetit shqiptar në Danimarkë,
i juaji nxënës,
Havzi Sulejmani – Xhaxhi