Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi ka paralajmëruar kallëzime penale ndaj tregtarëve të cilët nuk kanë respektuar vendimet e qeverisë për ngrirjen e çmimeve. Bekteshi tha se gjatë ditës së djeshme nga institucionet kompetente janë konfiskuar mbi 15 tonë pemë e perime, ndërsa për drejtuesit e Tregut me Shumicë ka kallëzime penale. Gjoba ka edhe për importuesit e frutave dhe perimeve, si dhe për kompanitë që merren me shitje me pakicë.
KRESHNIK BEKTESHI, MINISTËR I EKONOMISË
“Këtë javë do të vendosen edhe kallëzimet penale per ato që nuk i kanë respektuar vendimet e qeverisë dhe kjo tregon se nuk do të ketë asnjë lëshim për ata që shkelin ligjin. Gjatë ditës së djeshme nga institucionet kompetente janë konfiskuar mbi 15 tonë pemë e perime”
Drejtori i Inspektoratit Shtetëror të Tregut, Goran Trajkovski, tha se në tregun “Kvantashki” janë konstatuar shumë shkelje.Tregtarët të cilët nuk mbajnë evidencë në tregti janë gjetur, tha ai, dhe malli i konfiskuar i është dorëzuar Agjencisë për Menaxhimin e Pasurisë së Konfiskuar.
GORAN TRAJKOVSKI, DREJTOR I INSPEKTORATIT SHTETËROR TË TREGUT
“Shkelje të shumta janë regjistruar në tregun “Kfantashki”. Kontrollet do të vijojnë edhe më tutje për ti zbuluar dhe dënuar të gjithë ata që veprojnë në kundërshtim të ligjit. Nga sot në seancat gjyqësore do të paraqiten të gjithë inspektorët që kanë konstatuar shkelje dhe kjo duhet të jetë praktikë. Sistemi duhet të funksionojë”.
Procedimi penal do të fillojë publikisht ditën e premte dhe vendimi për çmimet do të vazhdojë të jetë i vlefshëm edhe në periudhën e ardhshme, tha ministri Bekteshi.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/