Ballina Aktualitet (VIDEO) Vesna Dameva u shkarkua nga posti i Kryetares së Këshillit Gjyqësor

(VIDEO) Vesna Dameva u shkarkua nga posti i Kryetares së Këshillit Gjyqësor

Kryetarja e Këshillit Gjyqësor, Vesna Dameva është shkarkuar nga funksioni, konstatoi zëvendësi i saj, Selim Ademi. Pas zënkave që kanë zgjatur thuajse katër orë dhe pasi Dameva refuzoi ta vendos në votim pikën e cila nuk ishte në rend dite, zëvendësi i saj vendosi që të votohet me ngritje të dorës. Shtatë anëtarë e mbështetën zëvendësin, i cili e mori udhëheqjen e seancës në prani të saj.

SELIM ADEMI, NËNKRYETAR I KËSHILLIT GJYQËSOR

“Kryetarja është e shkarkuar dhe më nuk mund të udhëheqë me seancën. Nesër në ora 11 caktojmë seancë të re. Për sot seanca është e mbyllur”.

Dameva kërkoi që të konstatohet se i është marrë udëhehqësia në seancë edhe pse ishte e pranishme.

VESNA DAMEVA, KRYETARE E KËSHILLIT GJYQËSOR

“Kryetari edhe pse është në sallë, zëvendësi në mënyrë arbitrare ia mori udhëheqjen dhe vendosi pikë në rend dite. Unë jam peng i juaj dhe i njerëzve që ju dhanë urdhër që seanca të ndërpritet”.

Në fund, Dameva tha se nëse ky vendim do të legalizohet, personat e politikës do të jenë të kënaqur.

Paraprakisht në seancë ka pasur zënka dhe kërkesë për shkarkimin e Vesna Damevës nga funksioni i kryetares, si pasojë e letrës dërguar autoriteteve gjyqësore dhe ekzekutive nga ambasadorja amerikane, Angela Ageler, ku tregon se është e zhgënjyer që çështjet e profilit të lartë janë kthyer nga Apeli për rigjykim dhe po shkojnë “para- mbrapa” ndërmjet Apelit dhe Gjykatës penale, ku Ademi akuzoi Damevën për fshehje të kësaj letre.

Më 11 prill të këtij viti ambasadorja e SHBA-së në Shkup, Angela Price Ageler i ka dërguar letër autoriteteve gjyqësore dhe ekzekutive ku shprehej shqetësimi i SHBA-së për anulimin e vendimeve ndaj profileve të larta që Gjykata e Apelit i ktheu në procedurë të shkallës së parë. Letra i referohet kryesisht rasteve për të cilat opinioni është shqetësuar e që ndërlidhen me gjykimet ndaj ish funksionarëve të cilët kanë shpërdoruar detyrat zyrtare dhe kanë dëmtuar buxhetin e shtetit. Letra me përmbajtjen e njëjtë përveç Qeverisë, i është dërguar edhe ministrave Krenar Lloga dhe Bujar Osmani, Gjykatës Supreme, Gjykatës së Apelit dhe disa gjykatave të tjera Themelore.