Merkatoja e Lacios do të nisë nga sulmi. Ndalesat e vazhdueshme të Imobiles kanë bërë që Igli Tare të shtojë kërkimet për të fuqizuar repartin e avancuar. Në listën e tij janë disa emra, mes tyre edhe ish-lojtari i Ballkanit të Ilir Dajës.
Për rolin e qendërsulmuesit, Tare po ndjek me shumë interes Santiago Gimenez, 22-vjeçarin meksikan që po spikat si goleador te Fejnordi. Ai ka realizuar 27 gola në 47 ndeshje këtë sezon, 3 nga të cilët ndaj Lacios në grupet e Ligës së Europës. Për këtë lojtar interesohen edhe klube të tjera europiane, për ta blerë duhen rreth 20 milionë euro.
Tare po ndjek gjithashtu edhe Ferran Jutglà, 24-vjeçarin spanjoll të Bryzhit, autor i 15 golave në 43 ndeshje. Ai ka kontratë me klubin belg deri në 2027-ën, ndërsa vlera e merkatos shkon në rreth 15 milionë euro.
Për të forcuar krahët e sulmit të Sarrit, Lacio ka disa lojtarë në shënjestër. Njëri është Jesper Karlson, suedezi 24-vjeçar i Az Alkmarit që mbulon krahun e majtë, por vlen 20 milionë euro. Alternativa tjetër është Ermal Krasniqi, 24-vjeçari kosovar që në janar kaloi te rumunët e Kluzhit. Me këtë kundërshtar Lacio u ndesh në ‘play-off’-in e Ligës së Konferencës.
Krasniqi spikati sezonin e kaluar me Ballkanin, ekipin kampion në fuqi në Kosovë, që drejtohet nga trajneri Ilir Daja. Igli Tare edhe një herë po tregon se është një mbështetës i madh i futbollistëve shqiptare dhe Ermal Krasniqi pritet të jetë goditja e tij e radhës./GazetaSi