Një ngjarje e rëndë ka ndodhur dje në Rahovec, ku një person është gjetur pa shenja jete në shtëpinë e tij në rrugën ‘Bekim Isma’, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali mëson se viktima është Hasan Miftari, 37-vjeçar.
Burimet e Gazetë Sinjali brenda Emergjencës kanë bërë me dije se mesditën e djeshme kanë pranuar thirrje për ndihmë, pasi nëna e të ndjerit e kishte gjetur të birin pa ndjenja.
Ekipi mjekësor i Emergjencës ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku pas ekzaminimeve për shenjat vitale në trupin e viktimës, mjeku ka konstatuar se ai ka ndërruar jetë.
Ndërkohë lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia, të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë kontaktuar me nënën e viktimës.
Bazuar në dëshminë e saj, ajo ka gjetur të birin të varur në litar dhe në tentativë për ta shpëtuar, ka këputur litarin dhe ka thirrur për ndihmë.
Nuk dihen rrethanat në të cilat ka ndodhur ngjarja, por sipas informacioneve të para, dyshohet se i ndjeri i ka dhënë fund jetës së tij.
Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion dhe rasti është cilësuar ‘Hetimi i vdekjes’./GazetaSinjali/