Ndërmarrja për Qarkullim Rrugor “Shkupi” ka sqaruar që nga sot do të përfshihen në transportin publik në Shkup edhe 105 autobus nga transportuesit privat, transmeton Portalb.mk.
Linjat e autobusit me numër 9, 11, 11A, 12, 19, 20, 22, 23, 45, 47A, 52, 55, 54, 61, 63 dhe 73, do të plotësohen me autobus modern, ka vlerësuar u.d. drejtori i kësaj ndërmarrje, Krste Petrevski.
“Me mënyrën e re të punës dhe standardizimin e transportit publik, qytetarët do të marrin shërbime cilësore dhe në kohë, ndërsa buxheti i Qytetit të Shkupit dhe NQP “Shkup” do të mbrohet nga keqpërdorimi që në të kaluarën ka qenë praktikë”, vlerësojnë nga NQP “Shkup”.
Qytetarët e Maqedonisë së Veriut, sot do të kenë mundësi të shfrytëzojnë teleferikun në malin Vodno prej orës 10:00 deri në ora 20:00. NQP “Shkupi” ka sqaruar që nisja e fundit për në majën e Vodnos me teleferik do të jetë prej orës 19:00 deri në ora 19:30, ndërsa kthimi i fundit do të jetë më 19:45.
Ndryshe, transportuesit privatë pushuan së qeni pjesë e transportit publik të qytetit në nëntor të vitit 2022 për shkak të borxheve që kërkuan t’i paguante Qyteti i Shkupit. Në fund të nëntorit dhe në fillim të dhjetorit, më shumë se 100 autobusë të parkuar në udhëkryqet kryesore bllokuan kryeqytetin.
Në ndërkohë, autoritetet e qytetit i hodhën poshtë pretendimet se u kishte borxh, por nga kontrolli rezultoi se Qyteti i Shkupit e ka gabim.
Ndërkaq, kryetarja Arsovska akuzoi transportuesit privatë se kanë bërë tarifa për pesë vjet dhe nuk kanë raportuar asnjë biletë të shitur. Siç theksoi ajo, dy kompanitë private publike të qytetit “Makekspres” dhe “Sloboda prevoz” në pesë vitet e fundit, përkatësisht nga viti 2017 e deri më sot, nuk kanë regjistruar asnjë biletë të shitur në autobusët që lëvizin për dy shoqatat, edhe pse kanë paraqitur se kanë vozitur rreth 400.000 kilometra në muaj dhe për këtë kanë llogaritur nga një euro për një kilometër të kaluar të cilën ia kanë faturuar NQP-së.
Kjo u pasua nga kërcënimi për padi për shpifje nga kompanitë private.
Qyteti i Shkupit në pjesën e parë të prillit të këtij viti, për herë të katërt shpalli thirrje publike për ndarjen e pakos së linjave dhe për dhënien e lejeve për transport të linjave të udhëtarëve në transportin publik të Shkupit. Kjo ishte thirrja e katërt për angazhimin e sërishëm të transportuesve privat në linjat urbane-periferike, pasi nuk pati sukses thirrja e marsit.
Thirrja ka të bëjë në lidhje me 16 linja, gjegjësisht për numrat 9, 11, 11A, 12, 19, 20, 22, 23, 45, 47A, 52, 54, 55, 61, 63 dhe 73. Për mirëmbajtjen e këtyre linjave transportuesit duhet të sigurojnë 115 autobusë dhe 245 shoferë. Afati përfundimtar për dorëzimin e paraqitjeve nga ana e transportuesve privat ishte më 24 prill.