Ballina Aktualitet Takimi Gashi – Kasami: A po i bashkojnë forcat Besa dhe Alternativa...

Takimi Gashi – Kasami: A po i bashkojnë forcat Besa dhe Alternativa për ta dërguar BDI-në në opozitë?

Liderët e partive opozitare nga blloku shqiptar Lëvizja Besa dhe Alternativa, Bilal Kasami dhe Afrim Gashi kanë pasur një takim këtë javë, i cili sipas burimeve nga të dyja partitë, është një përpjekje fillestare për të “shkrirë akullin” mes dy partive në drejtimin e një bashkëpunimi të mundshëm më serioz në të ardhmen, raporton TV 24, transmeton Portalb.mk.

Ky është takimi i parë mes dy liderëve në më shumë se katër vjet, sipas asaj që dihet deri tani për publikun.

Sipas të njëjtave burime të cilave u referohet televizioni, takimi nuk ka qenë për bashkëpunim thelbësor, por vetëm takim fillestar, pasi të dyja palët kanë paralajmëruar disa herë mundësinë e bashkëpunimit në të ardhmen, qëllimi i të cilit do të ishte dhënia fund e qeverisjes së BDI-së dhe partia e Ali Ahmetit të kalojë në opozitë.

TV 24 u dërgoi pyetje të dyja palëve lidhur me takimin. Sipas përgjigjes që kanë marrë nga Besa, takimin as e konfirmojnë e as e mohojnë.

“Lëvizja Besa është e hapur për bashkëpunim me të gjitha partitë politike opozitare. Komunikimi dhe takimet mes partive opozitare janë normale”, thanë nga Besa në përgjigje.

Përgjigje më e drejtpërdrejtë ka ardhur nga partia e Afrim Gashit, Alternativa, ku kanë thënë se lideri i tyre po takohet me disa autoritete politike dhe se sigurisht që ka kontakte mes Alternativës dhe Besës.

“Sigurisht që ka kontakte mes Alternativës dhe Besës dhe duhet të presim nëse do të ketë bashkëpunim dhe si do të duket. Si parti që qëndron për një lloj tjetër vlerash, tema kryesore e së cilës është lufta kundër korrupsionit, por edhe integrimi evropian, do të donim të gjenim partnerë me të cilët mund të bashkëpunonim për këto parime. Të gjithë jemi dakord që është koha që edhe te shqiptarët të ketë ndryshime. Është koha për një alternativë të re”, kanë thënë nga Alternativa e Gashit.

Ai më herët në një intervistë në “24 Analizë” nuk e mohoi se do të mund dalë së bashku me Besën në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, ndërsa tha se ka kontakte edhe me të ashtuquajturit “grupi zjarri” i BDI-së, i cili aktualisht vepron si fraksion.

Alterantiva u bë parti opozitare, pasi u largua nga Qeveria pas rindërtimit të fundit të saj, që solli Aleancën për Shqiptarët në shumicën qeverisëse.

Se Lëvizja Besa është gati të ulet në një tryezë të përbashkët me Alternativën dhe të diskutojë për vlerat që ndajnë, ka deklaruar edhe nënkryetari i Besës, Arjanit Hoxha në intervistën për “360 gradë” të transmetuar më 24 shkurt, pak ditë para votimit të ministrave nga radhët e Aleancës për Shqiptarët në Kuvend.

“Ne kemi pasur nivele të ndryshme komunikimi, nuk do të thotë se kanë qenë nivele të larta që çojnë në nivele koalicioni apo bashkëpunimi, por komunikimi vazhdon dhe normalisht që në momentin kur do të sqarohet situata politike, kur Alternativa do të jetë pjesë de facto e opozitës, natyrisht që na bashkon vizioni opozitar dhe do të jemi gati të ulemi dhe të flasim për vlerat që ndajmë. Nëse ndajmë të njëjtat vlera për mënyrën se si duam ta shohim vendin dhe të ardhmen e vendit, do të ulemi dhe do të diskutojmë për hapat e tjerë konkretë. Tani është herët për të diskutuar për këtë çështje”, ka thënë Hoxha në një paraqitje i ftuar në “360 gradë”.

Alternativa është parti e dalë nga Lëvizja Besa pas ndarjeve që ndodhën për shkak të rezultateve të dobëta në zgjedhjet lokale të 2017-ës.

Partia, Alternativa u krijua në vitin 2019-të, pasi u shkëput nga Lëvizja BESA për shkak të mosmarrëveshjeve me kryetarin e partisë Bilall Kasami. Pas dështimit në zgjedhjet lokale të vitit 2017-të Afrim Gashi, dhe një pjesë e partisë, të cilët ishin pjesë e themeluesve të Lëvizjes BESA në vitin 2014, kërkuan dorëheqjen e Kasamit.

Kasami nga ana tjetër refuzoi të dorëhiqet. Madje, grupet e Kasamit dhe Gashit e shkarkuan njëri-tjetrin nga funksionet partiake. Partia u nda në dysh dhe për disa muaj, të dyja palët thirreshin në emrin dhe logon e Lëvizjes BESA, derisa Gjykata Themelore Shkupi 2, vendosi që vulën dhe logon t’ia lë në pronësi Kasamit.

Për këtë, grupi i Gashit formoi dhe partinë Alternativa, e cila për një kohë ishte në koalicion me Aleancën për Shqiptarët, por i ndanë udhët pasi që në dhjetor të vitit 2021, Alternativa iu bashkua koalicionit qeveritar, i cili u riformatua pasi Zoran Zaev dha dorëheqje nga pozita e kryeministrit dhe kryetarit të partisë LSDM pas humbjes së thellë në zgjedhjet lokale të vitit 2021.