Një nga vajzat volejbolliste që ka marrë një shpullë nga trajneri Romeo Xega, ka treguar se kjo nuk është dhunë shpulla, por një mënyrë për t’i nxehur për ndeshjen. Sipas saj, prindërit e kanë kuptuar që është një gjest sportiv. “Ne jemi shumë të afërt, nuk na duket diçka për të bërë bujë, ka qenë diçka emocionale e jona, nuk është e nevojshme që të bëhen gjithë këto komente negative. Ne duhet të jemi të qetë për të ngritur kupën të dielën. Është normale që të ndodhë një ndeshje finale dhe me afrimitetin tonë dhe të prindërve është normale. Ne nuk kemi reaguar se nuk është ndonjë veprim për të bërë bujë. Nuk është dhunë. Prindërit nuk kanë bërë kush e di se çfarë, e dinë që është diçka normale. Ato kanë qenë në ndeshje, ata na thanë e meritonit një shpullë dhe të sharat e profesorit”, tha një prej vajzave.
Në të njëtën linjë ka qenë edhe një volejbolliste tjetër, e cila tha se ajo shpullë ishte për tërheqje vëmendjeje. “Ne jemi në prag të një kampionati dhe kërkojmë të marrim titullin kampion dhe kjo është diçka që po mundohen për të na shpërbërë ne, trajneri është shumë i mirë dhe po na motivon. Shpulla, ishte diçka që nuk mund të quhet shpullë, ishte tërheqje vëmendje. Një ekip sportiv e kupton, që nuk është shpullë, por tërheqje vëmendje. Kjo që nuk do të na cmotivojë, por do na motivojë për shumë të fituat titullin kampion dhe për të nderuar profesorin”, tha ajo.