Prej ditës së djeshme pasi SPAK i dorëzoi urdhërarrestin, Policia e Shtetit deklaron ka nisur kërkimet për arrestimin e ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj.
Konkretisht, Drejtoria kundër krimit ekonomik ka nisur kontrollet në disa banesa të Ahmetajt për ta gjetur atë fizikisht. Kërkime janë bërë edhe në banesat e familjarëve të Ahmetajt. Kërkimet do të vazhdojnë deri sa të krijohet bindja që Ahmetaj nuk ndodhet në territorin shqiptar.
Shpërndarja e urdhër arrestit në strukturat e policisë erdhi pasi Gjykata e shkallës së parë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, miratoi kërkesën e prokurorisë për masën arrest në burg në mungesë për ish-zyrtarin e lartë.
Edhe pse avokatët e Ahmetajt kanë pretenduar se ky i fundit ndodhet në Britaninë e Madhe, strukturat e policisë mësohet se po kërkojnë brenda vendit për ekzekutimin e masës së vendosur në mungesë nga gjykata, sipas procedurës.
Krahas kërkesës drejtuar gjykatës për masën me burg, SPAK mësohet se i kishte kërkuar policisë paraprakisht informacion për vendndodhjen e Arben Ahmetajt, gjë e cila është vënë në dispozicion nga ana e policisë së shtetit.