Londër, 24 korrik 2023 – Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora, është duke shijuar suksesin e albumit të saj më të ri, “You & I”, të cilin e nxori në shitje më 14 korrik.
Rita ka qenë e zënë prej javësh me promovimin e albumit të tretë në karrierën e saj, me intervista, podkaste dhe paraqitje të ndryshme televizive.
Ndër të tjera, ajo ishte edhe pjesë e podkastit të famshëm “The Diary Of A CEO”, në episodin e titulluar “I Lived With Constant Anxiety”.
Biseda nisi me historinë e shpërnguljes së familjes së saj nga Kosova në Londër, kur Rita ishte vetëm një vjeçe, dhe motra e saj, Elena, dy vjeçe.
“Unë jam nga Prishtina, nga një shteti i quajtur Kosovë. Është një shtet i vogël, i mrekullueshëm. Unë erdha në Mbretërinë e Bashkuar në vitin 1991, kur isha një vjeçe. Jam lindur në 1990. Gjatë luftës në Kosovë ishim refugjatë në Londër ku jetoj që atëherë”, tha Rita përballë Steven Bartlett.
Interpretuesja e hitit “Lonely Together” tregoi se sa të vështira ishin fillimet e familjes së saj si refugjatë në Angli, kur atyre iu dha një dhomë si ndihmë nga shteti.
“Ishte një dhomë që na u dha neve nga Qeveria. Nuk ishte një shtëpi këshilli, ishte më shumë si një shtëpi e përkohshme. Kjo është ajo që mbaj mend. Pastaj ne u shpërngulëm në një apartament që u dha nga Këshilli, në Londrën Perëndimore, ku kemi jetuar prej se mbaj mend”, tha Rita.
Ajo tha se prindërit e saj, Vera dhe Besniku, kanë qenë aq të përkushtuar për rritjen dhe edukimin e fëmijëve sa u kanë mësuar atyre shumë gjëra, pa e harruar asnjëherë gjuhën e tyre amtare.
“Ka shumë gjëra që prindërit më mësuan pa e ditur, si për shembull gjuhën shqipe, e cila është folur gjithmonë në shtëpinë time. Kështu, fatmirësisht, unë mund të flas në dy gjuhë. Nuk jam e mrekullueshme në shqip, por mund të kuptoj, të lexoj dhe të shkruaj”, tha Ora.
Në po të njëjtin podkast, këngëtarja shqiptare foli për problemet me ankthin si edhe për vështirësitë në karrierë. Ajo e ka përmeendur edhe gjyqin e famshëm me ish-shtëpinë e saj diskografike “Roc Nation”, e cila udhëhiqeet nga reperi i famshëm Jay-Z.