Ballina Top Lajm E rrallë/ 64-vjeçares i gjendet një krimb brenda në tru

E rrallë/ 64-vjeçares i gjendet një krimb brenda në tru

Ishte një ditë e zakonshme në repartin e sëmundjeve infektive të spitalit të Kanberrës në Australi derisa Dr. Sanjaya Senanayake u thirr me urgjencë nga një koleg neurokirurg: “O Zot, nuk do ta besosh atë që sapo gjeta në trurin e kësaj zonje. Dhe është e gjallë duke u përdredhur”. Neurokirurgu, Dr. Hari Priya Bandi kishte nxjerrë një krimb parazitar 8 cm të gjatë nga pacientja e tij. Pas kësaj ai thirri të gjithë kolegët të shihnin zbulimin e pazakontë dhe ta këshillonin se çfarë duhet të bënte më pas.

Pacientja, një grua 64-vjeçare nga Uellsi i Ri Jugor u shtrua për herë të parë në spital në fund të janarit 2021 pasi kishte pasur 3 javë dhimbje barku dhe diarre, e ndjekur nga një kollë e thatë e vazhdueshme, ethe dhe djersitje gjatë natës. Në vitin 2022, simptomave të saj iu shtua harresa dhe depresioni. Nga një skaner MRI i trurit u kërkua një operacion.

“Megjithatë neurokirurgu me siguri nuk e nisi operacionin duke menduar se brenda do të gjente një krim që lëviz. Neurokirurgët merren me infeksione në tru, por ky ishte një zbulim që ndodh një herë në karrierë. Askush nuk e priste ta gjente atë” – tha Senanayake.

Zbulimi befasues bëri që një ekip në spital të mblidheshin shpejt për të zbuluar se çfarë lloj krimbi ishte dhe, më e rëndësishmja, të vendosnin për trajtimin e mëtejshëm të pacientit.

“Ne nisëm të hapnim librat e shkollës duke kërkuar të gjitha llojet e ndryshme të krimbave të rrumbullakët që mund të shkaktojnë pushtim dhe sëmundje neurologjike” – tha Senanayake. Kërkimi i tyre ishte i pafrytshëm ndaj ata kërkuan ndihmë nga ekspertët e jashtëm.

 

“Qyteti Canberra është një vend i vogël, kështu që ne dërguam krimbin, i cili ishte ende gjallë, direkt në laboratorin e një shkencëtari i cili ka shumë përvojë me parazitët. Ai sa e pa atë tha: “O zot, ky është Ophidascaris robertsi” – tha Senanayake.

Ophidascaris robertsi është një krimb i rrumbullakët që zakonisht gjendet tek gjarpërinjtë pitonë. Pacientja e spitalit të Kanberrës shënon rastin e parë në botë të gjetjes së këtij paraziti tek njerëzit. Pacientja jeton pranë një liqeni të banuar nga pitonë të shtëpisë. Pavarësisht se nuk ka kontakte të drejtpërdrejta me gjarpërinjtë ajo shpesh mblidhte barëra vendase, duke përfshirë zarzavate rreth liqenit për t’i përdorur në gatim, tha Senanayake.

Mjekët supozojnë se një piton mund të ketë lëshuar parazitin përmes feçeve të tij në bar. Ata besojnë se pacientja ndoshta është infektuar me parazitin direkt nga prekja e barit ose pasi ka ngrënë këto barishte. Senanayake tha se pacientja do të duhej të trajtohej edhe për larva të tjera që mund të kishin pushtuar pjesë të tjera të trupit të saj, siç është mëlçia. Pacientja po rikuperohet mirë dhe është ende duke u monitoruar rregullisht. ©LAPSI.al