Një lajm i hidhur vjen sot nga SHBA për besimtarët ortodoksë, por edhe për komunitetin shqiptar atje.
At Arthur Liolin ka ndërruar jetë, njofton Mitropoia e Shenjtë e Korçës.
“Fjeti në Zotin Atë Artur Liolin. Në datën 28 shtator 2023 fjeti në Zotin atë Artur Liolini, Kryekancelar Kryedioqezës Shqiptare të Kishës Orthodhokse në Amerikë. Një humbje e madhe për familjen, për kishën ku shërbente dhe për të gjithë komunitetin shqiptar në Amerikë. Atë Arturi ishte nxënës i Imzot Theofan Nolit dhe vazhdoi me përkushtim veprën e tij.
Artur Evans Liolin lindi më 19 qershor 1943 në Nju Jork, në një familje me origjinë nga Boboshtica e Korçës. Në vitin 1967 mbaroi studimet për Histori Arti (Mesjeta dhe Bizanti) në Universitetin Princeton. Në vitin 1970 u dorëzua prift në Boston dhe i shërbeu komunitetit shqiptar në kryekishën e Shën Gjergjit. Në vitin 1975 u emërua Kancelar i Kryedioqezës Shqiptare të Kishës Orthodhokse në Amerikë, të cilës i shërbeu derisa ndërroi jetë. Gjatë shërbimit të tij atë Arturi gjallëroi jetën shpirtërore dhe veprimtaritë e komunitetit orthodhoks shqiptar.
Atë Arturi ka bërë disa vizita në Shqipëri, duke qenë dashamirës i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe ka mbështetur veprën e ringritjes së saj nga gërmadhat e regjimit ateist. Në vitin 2010 ai mirëpriti në Boston Kryepiskopin Anastas, me rastin e 100-vjetorit të Kryedioqezës Shqiptare.
Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë i shpreh ngushëllimet e ndjera familjes. Perëndia ta prehë në tendat e të drejtëve!” – thuhet në njoftim.
Por kush ishte At Liolini?
Artur Evans Liolin lindi më 19 qershor 1943 në Nju-Jork në një familje me origjinë korçare nga Boboshtica, kancelar i Kishës Ortodokse Shqiptare në ShBA.
At Artur Evans Liolin përveç aktivitetit fetar, kishte edhe një aktivitet të madh humanitar e diplomatik në dobi të Shqipërisë, si dhe mjaft studime për të : “Shqipëria – enigmë evropiane”, “Fan Noli dhe vetëdija shqiptare”, “Shoqëria shqiptare – riformim dhe gjetje”, etj.