Ballina Aktualitet Opinione Zeqirija Ibrahimi zbulon “sekretin” e dobësimit: Në shtator 2022 kam pasur 112...

Zeqirija Ibrahimi zbulon “sekretin” e dobësimit: Në shtator 2022 kam pasur 112 kg, ndërsa në shtator 2023 i kam 84 kg

Ish deputeti, njëherë edhe sekretari i Alternativës, Zeqirija Ibrahimi sot ka shkruar në rrjetet sociale për gjendjen e tij fizike. Ibrahimi thotë se ka humbur 28 kilogramë, ndërsa tregon “sekretin” e dobësimit, duket thënë se gjithçka ka të bëjë me “perceptimi për ushqimin”:

Meqë tashmë një kohë shumë miq më shkruajnë, ndërsa edhe shumë të tjerë që më takojnë ndjehen keq kur më pyesin se a jam mirë me shëndet duke parë dobësimin tim fizik, duke i falënderuar të gjithë për kujdesin dhe dashamirësinë, dëshiroj që edhe publikisht të shpjegoj se jam mirë dhe se dobësimi im fizik nuk është për shkak të dobësimit të shëndetit tim, por për shkak të vendosmërisë së vullnetit tim.

Sidoqoftë, ju faleminderit të gjithëve për kujdesin!
(Ata që përtojnë, mund të mos e lexojnë pjesën tjetër të tekstit.)
E meqë po flas për gjëra që bien në sferë të privates, që më ndodh rrallë e hiç, atëherë po e shfrytëzoj këtë që ta shpjegoj edhe se si dhe pse ka ndodhur kjo, duke shpresuar se ky elaborim mund t’i shërbejë dikujt.

Në fotografitë e postuara këtu ka 1 vit ndërmjet dhe 28 kg dallim. Në shtator 2022 kam pasur 112 kg, ndërsa në shtator 2023 i kam 84 kg. Dhe, kjo pa ndonjë dietë të veçantë, pa ndonjë ilaç e preparat, pa kurrfarë operacioni të lukthit, madje edhe pa e lënë veten keq për asnjë ushqim që e pëlqej.

Duket e pabesueshme, por po e ndaj këtë përvojë me të tjerët, sepse e di që shumë njerëz e kanë problem obezitetin dhe harxhojnë para, kohë, mund e lodhen, por nuk arrijnë efekte.
Në shtator të 2022-tës, bashkë me kolegët e Institutit, isha në SHBA, ku në margjina të aktiviteteve tona, gjeja kohë që me mikun tim nga Shkupi, Hoxhën Ymer Musa, disa herë të shkoja në fitnes dhe, mes tjerash, ta diskutoj me të temën se pse njerëzit kanë mbipeshë dhe cila është zgjidhja. Në fakt, edhe ai dikur e ka pasur atë problem, por pasi që e ka ndryshuar perceptimin për ushqimin dhe e ka kuptuar rëndësinë e aktivitetit fizik, tashmë duket njeri më i lehtë për jo më pak se sasia e kilogramëve që i kam hequr unë.

Derisa bisedonim me Hoxhën Ymer, m’u kujtua dhe m’u kthye një tekst i teologut të mesjetës islame, Ebu Hamid El-Gazali (1058-1111), që e kisha lexuar qysh më 2021, në të cilin ai bën fjalë për urinë si mjet i arritjes së përshpirtshmërisë. Ky tekst (https://erasmusi.org/…/dobite-e-urise-vullnetare-dhe…/) dhe bisedat me Hoxhën më nxitën të mendoj dhe meditoj më thellë rreth temës së ushqimit. Kështu i ndërmenda edhe njëherë thëniet profetike (hadithet) që flasin për ushqimin dhe në këtë rilexim konstatova se arsyeja e obezitetit është pikërisht në mënyrën e perceptimit të ushqimit, që te ne ka ardhur duke u ngjeshur me rritjen e konsumerizmit hedonist. Kështu konkludova se njerëzit në botën e qytetërimit perëndimor hanë jo sepse kanë uri, por hanë sepse kjo u shkakton kënaqësi. Është kjo “shoqëria e konsumit” (sipas Jean Baudrillard). Njësoj siç blejnë tesha që kurrë nuk i veshin, njësoj siç shpenzojnë për ndërrimin e telefonave e makinave ndonëse kanë telefona e makina që u shërbejnë mirë, ata edhe ushqim hanë për shkak të shijes, për shkak të ngjyrës së ushqimit, për shkak të erës së ushqimit, për shkak të mënyrës së servimit, për arsye sociale – ndeja, takime, festa, për shkak se kanë qejf të shijojnë shije të ndryshme, për shkak se marketingu i produkteve ushqimore (foto, video…) ka bërë që njerëzit të joshen për ushqime të llojllojshme etj. etj. Ndërkaq, në thënien profetike thuhet se “ne hamë kur kemi uri dhe kur hamë, kurrë nuk ngopemi”. Pra, arsyeja themelore e ushqimit nuk është kënaqësia, por vetëm që të shuhet uria. E kur kësaj ia shtova edhe këshillën tjetër profetike se “devocioni (përshpirtshmëria) nuk zë vend te njerëzit që hanë shumë, që flasin shumë dhe që flenë shumë”, kjo më shtyri të mendoj se çfarë torture i bëjmë ne vetes sonë me ushqimin e stërtepruar. Ndonëse urinë mund ta thyejmë edhe vetëm me një çorbë, me një domate, me një kastravec, me një hurmë, me një fik, me një pjeshkë, me një karamele e me një krem-banane, ne hamë derisa të lodhemi dhe derisa të mos mund të marrim frymë. Pastaj ai ushqim bëhet shkak për përgjumje dhe lodhje, për obezitet, për vështirësi në lëvizje etj.

Për fat të keq, plot njerëz edhe të mjedisit tonë mblidhen enkas në tryeza mishi e ushqime të tjera (madje, edhe bëjnë foto dhe ato i postojnë) dhe pastaj në diskutime të gjata flasin se cili mish ishte më i mirë, sa shumë janë kënaqur duke ngrënë e duke e shtyrë kështu dikë tjetër të organizojë tryezë tjetër të mbushur me mish. Ata ma kujtojnë kohën e faraonëve në Egjipt, që, prej pasionit të ushqimit, kishin shpikur lëngje që u shkaktonin vjellje, në mënyrë që ta nxjerrin ushqimin e ngrënë, për “t’u kënaqur” përsëri me ushqim të ri. Torturë dhe patologji.
E duke e ndryshuar perceptimin për ushqimin, se ushqim është edhe një karamele, edhe një mollë, si edhe një copë buke, një ëmbëlsirë, një top akullore ose një copë mishi dhe se të gjitha këto mund të konsumohen kur të duash, sigurisht të ekuilibruara, më shumë për ta shuar urinë sesa vetëm pse të pëlqen shija, pra assesi për t’u bërë hedonist me ushqimin, rezultatet ishin të dëshiruara.

Kur kësaj ia shtova ngjitjet një herë në javë në mal (nja 3-4 muaj), që më ndihmuam ta shkrij indin dhjamor, në krye të vitit unë jam ky në foto.

E tash kur miqtë më takojnë ose më telefonojnë, duke u habitur me pamjen time fizike, së pari shfaqin brengë se mos kjo është sëmundje, e kur e marrin vesh se nuk është as sëmundje, më pyesin se cila është dieta. Në mungesë të përgjigjes sime me recetë diete, u them shkurt “perceptimi për ushqimin”. Asgjë më shumë.

E bëra këtë postim për t’i këshilluar të gjithë ata që kanë probleme të obezitetit që mos ta lodhin veten me receta të mundimshme që u shkaktojnë vështirësi në jetë. Mjafton ta ridefinojnë konceptin ushqim dhe konceptin uri. Pjesa tjetër është një periudhë e ecjes me djersitje dhe gjithçka është në rregull.
Nëse dikush ka nevojë për më shumë këshilla, le të më shkruajë në privat!

Gjithsesi, kjo foto nuk është fotomontazh
Pas kësaj, problemi i vetëm është garderoba – nga XXL duhet të kalosh në M