Ballina Aktualitet PAMJET/ Nga stërvitjet e terroristëve serbë deri tek vrasja e Afrim Bunjakut

PAMJET/ Nga stërvitjet e terroristëve serbë deri tek vrasja e Afrim Bunjakut

Sulmi i terroristëve në Banjskë të Zveçanit para një jave nuk ishte thjesht sulm mbi Policinë e Kosovës e as marrjes së fshatit Banjskë, por ishte plan i detajuar ushtarak për “aneksimin total të veriut” dhe ishte planifikuar që sulmi të kryhej nga gjithsej 37 lokacione që terroristët synonin t’i zinin. Kështu ka shpjeguar Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla në një konferencë për mediat me Drejtorin e Policisë së Kosovës, Gazemend Hoxha.

Këto konkluzione janë nxjerrë nga ekspertët pas analizimit të plotë të të dhënave, pamjeve, armëve, dokumenteve dhe videove të bëra me dronët e sekuestruar nga terroristët e udhëhequr nga Millan Radojçiç. Aty kishte pamje të stërvitjeve ushtarake dhe simulimeve të sulmeve nga terroristët në një bazë trajnimi në Kopaonik, një pronë e Millan Radojçiçit.

Në këto trajnime, tha Sveçla, janë angazhuar prej presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, ministri serb i mbrojtjes, Millosh Vuçeviç dhe shefi i shtabit të përgjithshëmn të ushtrisë serbe, Millan Mojsilloviç.

Pamjet që u publikuan për media treguan përpamasat e mëdha të synimit të sulmit mbi shtetin e Kosovës me synimin përfundimtar për aneksim të plotë ushtarak të veriut të Kosovës, thanë Sveçla dhe Hoxha.

“Ata nuk kanë pasur qellim vetëm marrjen e fshatit Banjskë, apo vrasjen e policit, por plani ka qenë aneksimi i gjithë veriut të Kosovës. Dokumentet që kemi në dorë, e që nuk mund t’i bëjmë publike tregojnë planin e sulmit nga 37 pozicione në gjithë veriun e Kosovës”, ka thënë ai.

Hoxha njoftoi se kanë dëshmi të plota se logjika ushtarake e Ushtrisë së Serbisë u është vënë në dispozicion këtij formacioni paramilitar të udhëhequr nga Radojçiq.

“Fatmirësisht për ne e fatkëqësisht për ta – u dëshmua se betejat nuk i fitojnë ata që kanë armatim të madh, por ata që kanë kauzë të drejtë”, tha Gazmend Hoxhsa.

Duke paraqitur pamjet ku shihet se si ky grup paramilitar po zhvillonte planet dhe simulimet për sulm, Sveçla tha se tashmë faktet “janë evidente” dhe se faktori ndërkombëtar “duhet të sanksionojë Serbinë”.

“Sot do të shohim në detaje me pamje jo vetëm sulmin terrorist në Banjskë por edhe përgatitjet e këtij grupi në qendrat e trajnimit të Serbisë. Në këtë trajnim janë angazhuar, presidenti serb, Aleksandar Vuçiqi, ministri i Mbrojtjes së Serbisë, Milosh Vuçeviq dhe shefi i komandës së ushtrisë, Milan Mojsiloviq. Vuçiqi është munduar ta fshehë faktin se Serbia është angazhuar në organizimin e këtij sulmi”, ka thënë ai.

Duke analzuar të dhënat e reja tha se “bazuar në të dhënat e siguruara, rezulton se qendra e grupit terrorist ishte Kopaoniku, përkatësisht hapësira që është pronë e Milan Radoiçiqit. Ushtrimet ushtarake janë mbajtur në një prej poligonet më të mëdha ushtarake të Serbisë, së paku 4 ditë para sulmit në Banjskë”.

“Me datën 20.09.2023 në bazë të pamjeve shihet se është bërë përgatitja finale për sulmin që do të ndodhte vetëm 4 ditë më vonë. Në pamjet e siguruara shihen veprimet dhe aktivitetet e grupit terrorist në hapësirat e pronës së Radojicicit”, ka thënë më tutje ai.

Disa nga stërvitjet, ishin bërë në hotelin që ishte pronë e kriminelit serb, Milan Radojiçiq.

“Në videon e parë shihen resortet e hote Grey që është pronë e Milan Radojiçiit. Pamjet janë nxjerrë nga dronët që Policia e Kosovës ka sekuestruar pas ikjes së grupit terrorist dhe janë analizuar nga ekspertët tanë. Janë disa pamje që mbi hapësirat e hotelit në Kopanonik”, ka thënë drejtori i Policisë së Kosovës.

“Në videon numër 2, incizimet janë me datë 2 shtator 2023. Në Kopanonik afër hapësirave të pronës së Radojiçiqit. Pamjet tregojnë testimet e veshjeve, me qëllim të mbulimit të temperaturës së trupit që mbulojnë dronët. Tentativë për të mbuluar snajperistët, në mënyrë që të mos shihen nga dylbitë dhe kamerat termale”, ka thënë më tutje ai.

E videot e tjera tregojnë simulimet që ka bërë grupi i terroristëve, duke inskenuar edhe gjuajtjet me armë, testimet me blindë, mbrojtjen, dhe dhënien e ndihmës së parë.

“Sulmi fillestar është bërë fillimisht me eksploziv, si pasojë e sulmit ka ndërruar jetë rreshteri policor Afrim Bunjaku, i stacionit policor në Zveçan. Nuk u sulmua Policia Speciale, por patrulla policore e rendit publik. Jemi ballafaquar me kritika se po dërgojmë Njësinë speciale në pjesën veriore, por e kemi ditur se një ditë do të ballafaqohemi me një lloj të tillë kërcënimi”.

“Policët tanë janë në rrezik të vazhdueshëm atje. Policët e rendit kishin shkuar për të verifikuar se çfarë ndodhi me kamionin, nëse ka pësuar ndonjë aksident apo si është puna, në moment kur ka shkuar është përdorur eksplozivi”, ka thënë Hoxha. /Marrë nga Nacionale.com