Vajza e ish-kryeministrit Sali Berisha, Argita Malltezi ka rrëfyer momentin e arrestimit të bashkëshortit të saj, Jamarbër Malltezi, me urdhër të SPAK-ut në Aeroportin e Rinasit.
Malltezi tha se sa kishte zbritur nga avioni, kur në një telefonatë të shkurtër me Abi Malltezin, ai i tha se po e arrestonin.
Në studion e “Top Story” në Top Channel, ajo tha se fillimisht i telefonoi vëllait të saj, Shkëlzen Berishës, për të mos shqetësuar prindërit.
Malltezi kritikoi mënyrën se si i arrestuan bashkëshortin në Rinas, duke thënë se ishte diktuar nga mllefet politike të Edi Ramës.
“Nuk arrita të takohesha, i gjithë momenti ishte i mirëmenduar. Unë zbrita nga avioni fola me të dhe pas pak më tha po më arrestojnë. Mendja në fillim më shkoi te pushteti policor i Edi Ramës. Nuk më shkoi në mendje, prisja çdo gjë, por veprimi i policisë është diktuar nga mllefet politike të Edi Ramës. Ajo që më vonë më ka skandalizuar ka qenë manipulimi i tmerrshëm i drejtësisë.
Të parin në telefon mora vëllain se nuk doja të shqetësoja prindërit. Ata ishin jashtë Tiranës. Me Abin arrita të flas, atë natë shkoi dhe e takoi avokatja. Do të ketë qenë “shok” për të, por moralisht ishte shumë mirë. E prisja që Edi Rama mund të bënte çdo gjë”, u shpreh ndër të tjera Malltezi.