Një rast i rëndë ka ndodhur sot në Prishtinë, ku një i ri është gjetur pa shenja jete në afërsi të një objekti banesor dhe sipas informacioneve të para dyshohet për vetëvrasje, raporton Gazeta Sinjali.
Kështu ka bërë me dije një sinjalizues i Sinjalit, i cili tha se personi që dyshohet se i dha fund jetës është Qazim Alaj, 36-vjeçar nga Deçani – vdekjen e të cilit e ka konfirmuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes.
Alaj ka pasur pozitën e shefit të Teknologjisë në portalin “Shqip.com”.
Ndryshe, në vendin e ngjarjen kanë dalë edhe njësitet policore, me ç’rast janë kryer ekzaminimet e nevojshme, teksa trupi i pajetë është tërhequr për t’u dërguar në IML për autopsi.
Rastin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
“Sot rreth 09:30, kemi pranuar informatën se në lagjen Mati në Prishtinë, një person ka rënë nga një ndërtesë. Viktimë në këtë rast është një person (mashkull), vdekjen e të cilit e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendngjarje. Aktualisht hetuesit policor në koordinim me prokurorinë përkatëse janë duke punuar për të sqaruar të gjitha rrethanat që lidhen me rastin”, ka deklaruar Ahmeti./GazetaSinjali/
Ndahet nga jeta kolegu ynë i shquar i Shqip.Com, Qazim Alaj, në moshën 36-vjeçare
Mëngjesi i ditës së sotme nuk ishte aspak i zakonshëm për redaksinë e portalit Shqip.Com, pasi mësuam lajmin e ndarjes nga jeta të një bashkëpunëtori të dashur, kolegu të çmuar e profesionisti të devotshëm si Qazim Alaj, në moshën 36-vjeçare.
Tragjikisht, ai la këtë botë sot, duke lënë pas djalin e tij dhe bashkëshorten, e duke lënë kështu një boshllëk të thellë në zemrat e të gjithë atyre që e njihnin dhe bashkëpunonin me të.
Alaj ishte jo vetëm një koleg, por një njeri i talentuar dhe i përkushtuar ndaj profesionit gazetaresk. Kontributi i tij në redaksi ka lënë gjurmë thelbësore, duke pasur një impakt të ndjeshëm në integrimin e teknologjive dhe metodave inovative në funksion të përcjelljes së lajmeve dhe informacionit të cilin Shqip.Com e ofron për lexuesit e saj.
Pikërisht në këto momente të vështira, redaksia e Shqip.Com shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjarëve të Qazim Alajt.
Nuk ka fjalë që mund të shprehin dhimbjen dhe humbjen që ndjejmë sot. Ndaj, kujtojmë me respekt dhe admiratë të madhe kontributin, përpikmërinë dhe pasionin e Qazimit në çdo projekt të cilit iu besua.
Ky moment i trishtë na bën të reflektojmë mbi shkurtësinë e jetës dhe rëndësinë e të qënurit bashkë në këtë udhëtim të përbashkët.
Në emër të të gjithë kolegëve të redaksisë Shqip.Com, urojmë që shpirti i Alajt të gjejë parajsën, ndërsa familjarëve dhe miqve të tij ua përcjellim ngushëllimet e thella dhe të gjejnë forcë në këtë kohë të vështirë!
/Shqip.com