Ballina Kronika Evropa e Lirë: Ja çfarë dihet deri tani për vrasjen e Liridonë...

Evropa e Lirë: Ja çfarë dihet deri tani për vrasjen e Liridonë Ademajt Murselit

Nga Krenare Cubolli REL

Liridona Murseli, 30-vjeçare, është vrarë të mërkurën, më 29 nëntor, në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë, kryeqytetin e Kosovës.

Fillimisht, Policia e Kosovës, e ka raportuar rastin si “grabitje me pasoja të vrasjes”.

Dy ditë më vonë, më 1 dhjetor, Policia ka njoftuar për arrestimin e dy personave: dorasin G.P dhe N.M, bashkëshortin e viktimës, të dyshuar për vrasjen e saj.

Mediat lokale në Kosovë e kanë identifikuar bashkëshortin si Naim Murseli.

Pak orë më vonë, Ministria e Mbrojtjes e Kosovës, ka konfirmuar se në mesin e të arrestuarve për këtë rast, si i dyshuar, është edhe K.K, pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Gjykata Themelore në Prishtinë ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se seanca e parë për tre të dyshuarit është caktuar për 3 dhjetor, në orën 9:30.

Betimi për Drejtësi – medium i specializuar në fushën e sundimit të ligjit në Kosovë – ka raportuar, bazuar në burime se, i dyshuari Naim Murseli e ka pranuar para hetuesve se e ka porositur vrasjen për bashkëshorten e tij.

“Burime të ‘Betimi për Drejtësi’ bëjnë të ditur se i dyshuari Murseli ia kishte dhënë të dyshuarit G.P., 15 mijë euro para vrasjes, e 15 mijë të tjera do t’ia jepte pas kryerjes së veprës”, është thënë në raportimin e këtij mediumi.

Autoritetet e drejtësisë ende nuk e kanë bërë të ditur motivin e kësaj vrasjeje.

Policia e Kosovës ka thënë se ka kryer bastisje në Gjakovë dhe ka arritur të sekuestrojë armën, me të cilën dyshohet të jetë kryer vrasja.

Rasti i vrasjes së 30-vjeçares është dënuar rëndë në Kosovë.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e ka quajtur vrasjen si “krim monstruoz që duhet të marrë dënimin e merituar”.

“Ky krim i tmerrshëm kërkon veprim të shpejtë dhe vendimtar për t`u siguruar që drejtësia të mbizotërojë dhe që autorët ta marrin dënimin, i cili pasqyron peshën e kësaj vepre makabre penale”, ka thënë ajo përmes një postimi në Facebook.

“Ky krim nuk do të mbetet pa u ndëshkuar. Kriminelët do të përballen me drejtësinë”, ka thënë ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) ka kërkuar që rasti të trajtohet me urgjencë.

Mllef, posaçërisht, ka nxitur fakti se Naim Murseli është parë duke marrë pjesë në varrimin e bashkëshortes.

Mediat lokale në Kosovë kanë raportuar se familjarë të Liridonës, synojnë ta zhvarrosin trupin e së ndjerës nga Gjakova, ku është varrosur, pas dyshimeve se bashkëshorti ka dorë në vrasjen e saj.

Në reagime e sipër në rrjete sociale, disa kanë kërkuar që Liridona të njihet me mbiemrin e vajzërisë, Ademaj, dhe jo Murseli, të familjes së burrit.

Disa janë shprehur të alarmuar me dhunën kundër grave, disa i kanë vënë fajin mendësisë patriarkale për raportimet sistematike për dhunë, dhe kanë kërkuar më shumë siguri për gratë.

Në Tiranë, kryeqytetin e Shqipërisë, më 3 dhjetor është thirrur një protestë pas vrasjes së Liridonës.

Në orën 11:30 është planifikuar të mbahet një marsh drejt Ambasadës së Kosovës në Tiranë, me thirrjet ndal femicidit.

Sipas Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Gratë, UN Women, femicidi përkufizohet si vrasje e qëllimshme që lidhet me gjininë, që mund të jetë e nxitur nga rolet e stereotipizuara gjinore, diskriminimi ndaj grave dhe vajzave, raportet e pabarabarta të pushtetit midis grave dhe burrave, apo normave të dëmshme shoqërore.

Në periudhën janar-nëntor, në Kosovë janë raportuar rreth 2.000 raste të dhunës në familje. Sipas ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, 90 për qind e viktimave të kësaj dhune kanë qenë gratë dhe vajzat.

Në Kosovë, më 25 nëntor ka nisur fushata “16 ditët e aktivizmit kundër dhunës me baza gjinore”.

Në aktivitetin e mbajtur më 27 nëntor, të titulluar “Ato janë ne”, Haxhiu tha se dhuna në familje është shndërruar në fenomen në Kosovë.

Vetëm në vitin 2022 në Kosovë janë vrarë tri gra – për të tria rastet, fajtorë ose të dyshuar kanë qenë bashkëshortët e tyre.

Në periudhën 2010-2022 në këtë shtet janë vrarë 50 gra.

Liridona dhe Naim Murseli