Ballina Kronika Vrasja e Liridona Murselit, flet vjehrri i saj, jep disa versione: Kishte...

Vrasja e Liridona Murselit, flet vjehrri i saj, jep disa versione: Kishte 3 mijë euro në çantë, rezistoi (VIDEO)

Shaban Murseli, babai i Naim Murselit, ka folur lidhur me ngjarjen tragjike të 29 nëntorit ku u vra reja e tij, Liridona Murseli.

Ai ka treguar një version për ngjarjen, ku sipas tij, Liridona ka pasur 3 mijë euro me vete në çantë dhe se ka rezistuar.

“Jemi shumë keq. Dy fëmijët ishin në prokurori, tani po kthehen nga rruga. Edhe unë shpresoj që të kenë qenë dhe psikologët të pranishëm. Gjendja e Naimit është e rëndë. Naimi është duke u kthyer nga Prishtina. Nga Suedia kam mbërritur sot në mëngjes, dhe nuk jemi takuar ende. I kam lexuar mediat. Dikush thotë që është një makinë me targa të huaja, apo ka një dyshim tjetër. Ndoshta mund të ketë edhe lidhje me detyrën. Sipas çdo informacioni që kam, këta ishin duke u vendosur në shtëpi të re. Liridona kishte pasur një shumë të konsiderueshme në çantë dhe ka bërë rezistencë. Kanë pasur diku te 3 mijë euro. Naimi ishte duke ngarë makinën. Ata i kanë dalë me armë para makinës. Kur ju kanë dalë me armë, Naimi e ka kuptuar se do të vriten të gjithë dhe ka ikur nga makina. Flitet dhe një variant tjetër ku ka hapur derën e fëmijëve dhe i ka thënë bashkëshortes; ik, por ajo ka bërë rezistencë. Por mund të jetë ngatërruar me rripin e sigurimit pasi ishte stresi.”, ka thënë ai për News 24.

Sipas raportit 24 orësh të Policisë, viktima ka qenë në veturë me bashkëshortin dhe dy fëmijët, kur një person i panjohur i armatosur i ka ndaluar dhe ua ka kërkuar të gjitha gjërat me vlerë dhe pastaj ka qëlluar me armë zjarri. Ky rast është kualifikuar si “Grabitje me pasoja të vrasjes”.

“GRABITJE ME PASOJA TË VRASJES – Rr. Dlip Alshiq, Prishtinë 29.11.2023 –20:26. Raportohet se viktima femër kosovare, derisa ka qenë me bashkëshortin dhe dy fëmijët e tyre me veturë, një person i panjohur i armatosur i ka ndaluar dhe ua ka kërkuar të gjitha gjërat me vlerë dhe është qëlluar me armë zjarri për vdekje. Lidhur me rastin është intervistuar bashkëshorti i saj, dëshmitari mashkull kosovar i cili kishte arritur të largohet nga vetura me dy fëmijët e tyre. Njësit relevante policore, prokurori dhe ndihma e shpejtë urgjente kanë dalë në vendin e ngjarjes, nga mjeku është konstatuar vdekja e viktimës. Me urdhër të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në raport.