Viti 2024 nisi me një lajm të trishtë nga Tetova. Në të gdhirë të datës 1 janar, është shuar publicisti, politikani dhe gazetari Mahi Nesimi nga Tetova. Lajmi u bë i ditur nga familjarët e të ndjerit.
“Ju njoftoj se sot në mëngjes ndërroi jetë babai im, Mahi Nesimi. Varrimi do të bëhet me namazin e iqindisë në varrezat e qytetit në Tetovë”, qëndron në njoftimin e familjes Nesimi nga Tetova.
Në orët e mëngjesit të ditës së sotme ka ndërruar jetë Mahi Nesimi, intelektual, politikan dhe gazetar i njohur nga Tetova, njofton Portalb.
Ai u diplomua për Shkenca Politike në Universitetin e Zagrebit, por pjesën më të madhe të jetës profesionale ia kushtoi gazetarisë. Nesimi ka qenë gazetar për shumë vite, duke filluar në gazetën “Flaka”, ku ka qenë edhe redaktor. Pas pavarësisë së Maqedonisë së Veriut, ai u përfshi në jetën politike duke u bërë funksionar i Partisë për Prosperitet Demokratik (PPD) dhe për një periudhë ishte edhe sekretar i përgjithshëm i partisë.
Nesimi shkroi disa libra që paraqesin një analizë unike shkencore të procesit zgjedhor dhe një udhërrëfyes për organizimin e zgjedhjeve dhe organizimin e njësive zgjedhore. Modelet e zgjedhura ishin specialiteti i tij. Ai ndër të parët paralajmëroi se organizimi dhe modeli aktual zgjedhor krijon pabarazi mes qytetarëve.
Mahi Nesimi ishte ambasador i Maqedonisë së Veriut në Zagreb të Kroacisë. Më pas iu përkushtua veprimtarisë së tij shkencore.
Për veprimtarinë e tij shumëvjeçare, Mahi Nesimi u nderua me çmimin shtetëror “11 Tetori” për vepër jetësore në vitin 2021.