Ballina Aktualitet Kultura Një intervistë e pabotuar me Gabriel García Márquez: Ndoshta mitet për mua...

Një intervistë e pabotuar me Gabriel García Márquez: Ndoshta mitet për mua janë më interesante se jeta ime

Në bashkëpunim me regjisorin e dokumentarëve Jon Intxaustegi, gazeta El País paraqet një pjesë nga një intervistë me fituesin kolombian të çmimit Nobel ku ai diskuton mbi muzikën, Karaibet, paratë, dashurinë, librat dhe idetë.

Fragmentet në vijim janë pjesë e një bisede me të gjerë me Gabriel García Márquez, të cilën e kam regjistruar më 6 maj 1994, në Havana, Kuba, me pjesëmarrjen e gazetarit të ndjerë Mauricio Vicent. Shkrimtari kolumbian, 67 vjeç në atë kohë, foli hapur, duke zbuluar plotësisht dhe emocionalisht veten e tij. Sapo ishte botuar romani i tij Për dashurinë dhe demonë të tjerë.

Në këtë intervistë – e pabotuar deri tani, dhe versioni i plotë i së cilës gjendet në numrin 117 të revistës kulturore TintaLibre – fituesi i Çmimit Nobel në Letërsi në vitin 1982, diskuton mbi muzikën, Karaibet, paratë, dashurinë, librat, dhe idetë.

Gabriel García Márquez: Ndoshta e kanë marrë si shaka të hidhur, apo të ëmbël… por besoj se Njëqind vjet vetmi është një vallenato[1] 450-faqëshe. Dhe e them shumë seriozisht. Estetikat janë të njëjta, koncepti është i njëjtë, burimet janë të njëjta: historitë e pazakonta që kanë humbur, kanë humbur në harresën popullore. Dashuria në kohërat e kolerëështë një bolero[2] 380-faqëshe dhe e kam shumë seriozisht. Kur askush nuk e dinte se ç’ishin këngët vallenato, kujtoj, atëherë kur isha fëmijë e shkoja të dëgjoja firzarmonicistët e ardhur gjatë festivaleve, pasi kjo është origjina e muzikës vallenato… ishin muzikantë endacakë të cilët udhëtonin nga një qytet në tjetrin, duke kënduar për një ngjarje që kishte ndodhur diku gjetkë. Ishin gazeta udhëtuese të shoqëruara me fizarmonikë.

Në fillim, çfarë më interesonte më shumë ishte historia që tregonin; muzika jo dhe aq. Por, më pas, për mua, historia, faktet – dhe jeta e rajonit – gjithmonë qe e lidhur me muzikën. Kam përshtypjen se nga të gjithë librat e mi, ai që i përmbledh më mirë Karaibet është Për dashurinë dhe demonë të tjerë. Te Dashuria në kohërat e kolerës, qyteti [që portretizonte] autenticitetin karaibian nuk është aq i theksuar [sa te] Për dashurinë dhe demonë të tjerë. Në fakt, nëse ka ndonjë libër timin në të cilin mund ta shohësh se si janë vërtet njerëzit nga Karaibet – një përzierje e shumë racave nga e cila ka dalë një kulturë e re – është ky libër.

Edhe pse Për dashurinë dhe demonë të tjerë është vendosur në Kartagjenë, Kolumbi, unë e shoh si shumë kubane, me eksperiencat dhe mënyrat e jetesës që ekzistojnë ende.

Nuk thuhet askund në libër se qyteti është Kartagjena – dhe nuk është thjesht rastësi. Më intereson pasiguria, doja vetëm ta qartësoja se libri zhvillohet në secilin qytet në Karaibe. Nuk e kisha trajtuar kurrë përbërësin afrikan të kulturës së Karaibeve aq pranë sa në këtë libër. Në Kartagjenë – për shkak të kushteve të veçanta të periudhës koloniale dhe kushteve shumë të veçanta të kolonializmit spanjoll – këto kultura nuk ngjitën, ose nuk u ruajtën aq mirë sa në Kubë. I gjithë informacioni që është në këtë roman nuk mund të ishte marrë vetëm nga Kartagjena… dhe ndoshta në asnjë qytet të vetëm në Karaibe.

Është një çështje që unë e ngre dhe që askush nuk dëshiron t’i kushtojë rëndësi, ama Karaibet nuk janë një zonë gjeografike, por kulturore. Nuk mbulon vetëm detin e Karaibeve. Për mua fillon nga jugu i Shteteve të Bashkuara – gjithë çfarë është Luiziana dhe Florida – dhe shtrihet deri në Brazilin verior. Nuk është një territor gjeografik, por një territor kulturor.

Kam marrë elementë të kulturës afrikane të trupëzuara në Karaibe nga Brazili dhe Kuba, dhe e gjitha funksionon si të ishte nga Kartagjena. Unë kam lindur në Aracataca – që është një qytet kolumbian në brendësi, por jo dhe aq, prapëseprap është karaibian i pastër – dhe ky është një rajon jo vetëm i Kolumbisë por i të gjithë Karaibeve, kulturat e të cilit përcaktohet thelbësisht nga muzika.

Qyteti më karaibian ndoshta është Panama. Aty ku i ndien vërtet Karaibet është në Panama; e ndiej ekologjikisht, e ndiej në mënyrën se si trupi im fillon të ndihet në paqe në mjedisin ekologjik të Karaibeve. Kjo më ndodh lehtësisht kur kthehem nga Europa, në ndalesën time të parë në Karaibe. Zbres nga avioni, marr frymë dhe menjëherë jam njeri tjetër. Besoj se kjo është diçka e pa studiuar mjaftueshëm: deri në ç’pikë është kushtëzimi ekologjik në jetën e qenieve njerëzore thelbësor.

A është e vërtetë se me pesot e para që fituat, bëtë në një udhëtim me anije në Karaibe?

Do të ishte e mrekullueshme të mblidhja të gjithë mitet që ekzistojnë për mua, sepse ndoshta janë më interesantë se jeta ime!

A mund të jeni ju ai që i inkurajon këto mite?

Epo le ta shohim: teksa po shkruaja Vjeshta e Patriarkut, në Barcelonë, papritur qe një çast kur kuptova se e kisha lënë pas mjedisin tim ekologjik. Kishte gjëra që nuk i ndieja më: kisha harruar ngjyrën e detit, aromat. Zbulova se nuk mbaja mend gjëra të caktuara, gjëra të cilat më nevojiteshin për të shprehur realitetin. Emocioni, ndjesitë, vetëdija e nga vija nuk mungonte kurrë, sepse kudo që është shkrimtari, mban botën e tij; poeti e mban botën e tij dhe kudo që ta vendosin – në Polin e Veriut apo të Jugut – e mban brenda vetes. Por nuk mund të mbaja mend se si ishin disa gjëra: aromat, tingujt, temperatura. Është shumë e vështirë ta imagjinosh të ngrohtin kur është ftohtë, dhe anasjelltas.

U shqetësova shumë, sepse romani kishte ngecur. Kështu, bëra një pushim dhe shkova në një tur që më shpuri në Santo Domingo. Dhe nga Santo Domingo, shkova teposhtë gjithë harkut të Karaibeve deri në Kartatgjenë dhe rimora çdo gjë që më duhej, gjithë karburanti që më duhej për të shkruar këtë libër. Nuk bëra asnjë shënim: ishte thjesht një çeshtje jetese, vazhdimësisë së saj, të vizituarit të çdo ishulli një nga një, pa bërë absolutisht asgjë përveçse thjesht të vështroja. Dhe nuk m’u desh të shpenzoja një vit për këtë: ishin tre ditë këtu, një javë atje. Kur u ktheva, libri rodhi deri në fund. Thjesht isha kthyer në thelbin tim. Por kjo është ndryshe nga të harruarit… sepse nuk ndalon kurrë se qenuri andej nga je.

Dhe gjatë netëve tuaja në Barcelonë, çfarë bolerosh dëgjonit?

Dëgjoja disa bolero që nuk ishin aspak nga Karaibet: ishte Bach, prej një origjine po aq popullore. Në fund të ditës, e gjithë muzika — muzika kulturore dhe muzika popullore — kanë të njëjtën origjinë në këngë popullore. Ka një fotografi kompozitori hungarez Béla Bartok që është thellësisht prekëse: shfaqet me një nga ato fyejt cilindrikë, duke mbledhur rrëfime nga fshatarët e Transilvanisë, nga toka e Drakulës. Thuajse e gjithë muzika e tij ka atë origjinë popullore — ashtu si e Bach-ut, ashtu si vallenatosat, si dhe shumica e letërsisë së Karaibeve. Muzika, për mua, nuk është vetëm muzikë klasike apo vetëm popullore… vetëm [pasi dëgjoj shumë prej saj] filloj të veçoj zhanret që më pëlqejnë më  shumë dhe ato që më pëlqejnë më pak. Por nuk mund të thuash se muzika klasike nuk është muzikë, apo se muzika popullore nuk është muzikë, apo se bolero nuk është, por cha-cha është. Besoj se të gjitha jane shprehi njerëzore me vlerë të madhe, sepse edhe ato më pak të pranueshmet kanë diçka në to. Nuk mund të shkruaj teksa dëgjoj muzikë, sepse në një pikë, interesohem më shumë në atë që po luhet se sa në atë që po shkruaj.

Muzika më prek më shumë se letërsia, ose mund të jetë se më pëlqen më shumë, apo se muzika e imponon veten e saj mbi mua më shumë se letërsia. Nuk e dëgjoj teksa shkruaj, por jam gjithmonë i zhytur në të, sidomos kur jam duke shkruar. Kur isha në Barcelonë — gjatë një hiatusi pas Njëqind vjet vetmi duke kërkuar për një udhë se ku të shkoja më pas — dëgjova shumë muzikë. Gjithmonë kam dëgjuar muzikë — muzikë të kulturuar, mbi të gjitha — por jo në një mënyre të organizuar. E kam dëgjuar siç më ka ardhur, nga do që të vinte. Në Barcelonë [në vitet ‘60], avantazhi ishte se mund të dëgjoje muzikë kudo, është një qytet jashtëzakonisht muzikor. Veçanërisht dëgjoja koncertin e tretë në piano të Béla Bartok-ut — i cili më pëlqen vërtet shumë — dhe e luaja shumë, sidomos në ditët kur po shkruaja Vjeshta e Patriarkut.

Kur u botua, qenë disa ekspertë — edhe në letërsi, edhe në muzikë — të cilët u përpoqën të më tregonin se, në njëfarë mënyre, kompozimi, struktura e atij libri, ishte bazuar në atë koncert  të Béla Bartok… megjithëse asnjëherë nuk e kuptova shpjegimin që më dhanë. Duhet të vrasësh mendjen se çfarë zhanri muzikor është Për dashurinë dhe demonë të tjerëNuk ia kam idenë, por ka gjasë që të ketë muzikën e vet. Ajo që doja [për  romanin] ishte që të mos kishte asnjë mospërputhje. Që të ndodhë kjo, duhet të punosh katër vjet për një libër 200-faqësh, çdo ditë, duke u siguruar se nuk ka asnjë notë të papërputhur.

Përktheu Enxhi Hudhri


[1] Këngë popullore kolumbiane.

[2] Këngë romantike kubane.