E pabesueshme ajo që ndodhi në Katar në konferencën për shtyp pas eliminimit që pësoi Iraku në fazën e 1/8 të Kupës së Azisë nga Jordania. Pasi mbylli pjesën e parë në avantazh falë golit të Al Naimat, Jordania u përmbys nga golat e Natiq dhe Hussein. Befasia erdhi në shtesë, mes minutave 95′ dhe 97′, Al Arab dhe Al Rashdan i dhanë jordanezëve suksesin 3-2. Disa gazetarë irakianë, siç shihet në një video që po bën xhiron e botës, sulmuan trajnerin e Irakut Jesus Casas dhe u përpoqën ta rrahin. Ndërhyrja e sigurisë shmangu degjenerimin e konfliktit.
Lexo më tej: Video/ Përjashtimi i bujshëm në Kupën e Azisë: episod surreal, i paparë ndonjëherë në futboll
Shumë e kanë kritikuar Casasin se e ka shpërqendruar veten nga roli i tij si trajner duke dhënë shumë intervista gjatë këtij kompeticioni. E kjo ishte edhe pjesërisht arsyeja e humbjes që mori Iraku, një prej kombëtareve më të akredituara në vigjilje për titullin kontinental. Federata irakiane e Futbollit lëshoi një deklaratë duke shprehur “zhgënjimin e saj të madh” për “një skenë që është më e dhimbshme se dalja e pamerituar e ekipit tonë”. “Denoncojmë sjelljen e urrejtjes ndaj trajnerit”, nënvizon federata, e cila merr përsipër “të mos merret me këto media që përpiqen të mbjellin kaos”.