Ballina Aktualitet Bankat në RMV nuk e njohin gjuhën shqipe dhe na diskriminojnë, reagoi...

Bankat në RMV nuk e njohin gjuhën shqipe dhe na diskriminojnë, reagoi Më Mirë për Tetovën (VIDEO)

Bankat në Maqedoninë e Veriut nuk e njohin gjuhën shqipe, gjegjësisht nuk pranojnë dokument zyrtar të lëshuar nga institucioni shtetëror në gjuhën shqipe. Madje, bankat pranojnë dokument në gjuhën angleze dhe jo në gjuhën shqipe e cila është gjuhë zyrtare e shtetit, kështu duke na diskriminuar. Kështu ka reaguar sot nisma qytetare Më Mirë për Tetovën, shkruan Portalb.mk.

Nga kjo shoqatë kanë reaguar se pas regjistrimit në gjuhën shqipe si subjekt juridik, si Shoqata “Për Tetovën” janë drejtuar te bankat në Republikën e Maqedonisë së Veriut për të hapur llogari bankare, ku për këtë kanë shfrytëzuar dokumentin zyrtar në gjuhën shqipe që e kanë pranuar nga Regjistri Qendror i Republikës së Maqedonisë së Veriut gjatë regjistrimit të shoqatës së tyre.

“Gjatë këtij procesi ne kemi hasur në praktika diskriminuese ndaj konsumatorëve që kanë të bëjnë me adoptimin e gjuhës shqipe. Në këtë rast, shqetësimi ynë është se, bankat në RMV nuk pranojnë dokumentin zyrtar të lëshuar nga institucioni shtetëror i cili është në gjuhen shqipe. Nga ne është kërkuar që të aktvendimin ta përkthejmë në gjuhën maqedonase, ta notarizojmë dhe ta dorëzojmë në bankë për të vazhduar procesin e hapjes së llogarisë”, theksoi Elmedina Abdulahi.

Ata nënvizojnë se bankat në Maqedoninë e Veriut i pranojnë dokumentet që janë gjuhën angleze, dhe se është e palogjikshme që bankat t’i pranojnë dokumentet në gjuhë ndërkombëtare ndërsa t’i refuzojnë ata në shqip, që është një gjuhë zyrtare e shtetit.

Më Mirë për Tetovën thekson se kërkesën për hapje të llogarisë e kanë dërguar në bankat si: Capital Bank, Halk Bank, Uni Bank, Komercijalna Banka, Stopanska Banka, Centralna Kooperativna Banka, NLB Tutunska, Silk Road Bank, TTK dhe Sparkasse Bank. Ata theksojnë gjithashtu se disa nga këta banka, gjithashtu nuk kanë as webfaqe në gjuhën shqipe.

“Mungesa e shërbimeve në gjuhën shqipe është praktikë diskriminuese dhe shqetësuese për ne, pasi bën dallim midis klientëve shqiptarë, duke vështirësuar të drejtën e tyre për të përdorur dokumente zyrtare në gjuhën amtare”, tha Abdulahi.

Ata theksuan se kanë dorëzuar kërkesë me shkrim në Komisionin për parandalim dhe mbrojtje nga diskriminimi si dhe në Drejtorinë për mbrojtjen e konsumatorëve, duke kërkuar mbështetjen që te ndalet diskriminimi ndaj konsumatorëve shqiptarë.

“Kërkojmë nga kryeministri Talat Xhaferi që të vendos në funksion autoritetin e tij dhe të ndërmerr hapat e nevojshme për të siguruar respektimin e diversitetit gjuhësor në institucionet shtetërore dhe të angazhohet për të parandaluar çdo formë të diskriminimit ndaj gjuhës shqipe”, thanë nga Më Mirë për Tetovën.

Për këtë problematikë, Portalb.mk ka kontaktuar Komisionin Shtetëror për Parandalim dhe Mbrojtje nga Diskriminimi, Drejtorinë për Mbrojtjen e Konsumatorëve, Organizatën e Konsumatorëve të RMV-së, Asociacionin e Bankave të Maqedonisë, Qeverinë e RMV-së dhe Inspektoratin Shtetëror për Përdorimin e Gjuhëve. Nga asnjë na këto institucione nuk morëm përgjigje. Në rast së marrjes së përgjigjes nga këto institucione, lajmi do të përditësohet.

@tn.lajmelokale
@tetovanews