Pas Ukrainës, përfituese edhe vendet e Ballkanin Perëndimor nga fondet e Bashkimit Europian. Pas përfundimit të samitit në Bruksel, udhëheqësit BE-së, njoftuan miratimin e një fondi me vlerë 2 miliardë euro për vendet e Ballkanit Perëndimor që do të shpërndahen në formën e granteve, për periudhën 2021-2027.
Këto fonde do të përfshihen në planin e BE-së për rritjen ekonomike të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Plani është prezantuar më herët nga Komisioni Europian, por fondet nuk ishin siguruar. Tani i takon Parlamentit Europian të miratojë pakon në mënyrë që BE-ja të nisë dhënien e ndihmës financiarë për rritjen ekonomike të rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Pakoja e plotë e hartuar nga Komisioni Europian ka një vlerë prej 6 miliardë eurosh. Por, 2 miliardë, tashmë të miratuara, do të jenë në formën e granteve, ndërsa 4 miliardë të tjera do të jepen në formën e kredive të favorshme për të cilat garancitë do t’i japë Bashkimi Europian.
Komisioni ka paralajmëruar se marrja e këtyre fondeve nga vendet e rajonit do të kushtëzohet me zbatimin e reformave për forcimin e sundimit të ligjit. Ndërsa në mënyrë specifike për Kosovën dhe Serbinë, Komisioni ka kushtëzuar fondet me përparimin në procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes tyre./Klan News