Policia italiane arrestoi një 17-vjeçar të dyshuar si vrasës të shqiptarit Bledar Dedja mes të shtunës dhe të dielës së 20 dhe 21 janarit. 39-vjeçari shqiptar, baba i dy fëmijëve, u gjet gjysmë i zhveshur në mes të pyllit i goditur disa herë me thikë. I mituri është arrestuar në provincën e Trevisos. Nga sa mësohet, prej disa ditësh policia kishte shtrënguar rrethin rreth djalit, pasi kishte kryer hetime veçanërisht për celularët dhe marrëdhëniet private të 39-vjeçarit. Pika e kthesës ishin dalja e rezultateve të ADN-së të gjetura në vendin e ngjarjes
Në rrobat e viktimës u gjetën edhe gjurmë të tjera gishtash. Hetuesit ndoqën gjurmët e një krimi të pasionit që në momentet e para pas vrasjes. Ishte gruaja e Bledarit që i futi menjëherë në atë rrugë. Ajo u rrëfeu hetuesve se disa vite më parë kishte vënë në gjurmët e të shoqit një hetues privat, i cili kishte zbuluar se kopshtari kishte një jetë të dytë jashtë martesës.
Trupi i Dedjas u gjet në agimin e së dielës së 21 janarit nga një mik, i cili kishte nisur ta kërkonte pasi 39-vjeçari ishte zhdukur që në orën 16:00 të pasdites së një dite më parë kur ai kishte mbaruar punën në piceri. Shoku i 39-vjeçarit kishte parë Mercedesin e bardhë të parkuar në një rrugë dytësore. Trupi i Bledarit u gjet i shtrirë 100 metra më larg, në mes të pyllit. Ai kishte rreth 15 plagë me thikë në gjoks. Një tjetër ndihmë për hetuesit ishte zhbllokimi i një telefoni të dytë të viktimës.
Ai, përdorej nga shqiptari për të organizuar “jetën e dytë”, të përbërë nga marrëdhënie dhe takime klandestine. Nga këtu hetuesit kanë nxjerrë emrin e djalit që përfundoi në paraburgim dhe që tani akuzohet për vrasje me dashje. Mësohet se 17-vjeçari ka rënë dakord për një takim me Bledarin ditën kur ai u vra. I riu ishte plagosur në dorë gjatë përleshjes dhe kishte lënë gjumë gjaku në vendin e ngjarjes.
“Mister” mbetet motivi i krimit. I mituri kishte shkuar në takim me thikë me vete, shenjë se ndoshta gjesti ishte i paramenduar. Nëse po, ka mundësi që Bledari dhe vrasësi i tij të njiheshin prej disa kohësh dhe nuk ishte hera e parë që takoheshin. Por për momentin arsyet pse shqiptari u vra, mbeten vetëm në fushën e hipotezave që po shqyrtohen nga hetuesit. ©LAPSI.al