Ballina Aktualitet Eurokohës i ndalohen fluturimet për Zvicër

Eurokohës i ndalohen fluturimet për Zvicër

Aviokompanive “Eurowings” dhe “Kosova Airlines”, në pronësi të Remzi Ejupit, i është hequr favori i linjës së pakufizuar ajrore për Zvicër dhe anasjelltas.

Vendimi i nxjerrë saktësisht një javë më parë, më 30 janar, nga Autoriteti i Aviacionit Civil të Kosovës (AAC) do të hyjë në fuqi pas përmbylljes së sezonit dimëror 2023/24.

Në qershor të vitit 2018, Ministria e Infrastrukturës ia kishte dhënë të drejtën për të operuar nga Zvicra, e drejtë kjo e njohur si dezignim, kompanisë gjermane “Eurowings” dhe kompanisë “Kosova Airlines”.

“Eurowings” operon në Cyrih dhe është në pronësi të kompanisë “Lufthansa Group”. Por, si bashkëpunëtor i “Eurowings” në Kosovë është kompania “Eurokoha” e Remzi Ejupit.

Në pronësi të Ejupit është edhe “Kosova Airlines”. Në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK), ky biznes zyrtarisht figuron në pronësi të Naim Ejupit, familjar i biznesmenit Remzi Ejupi, raporton Paparaci.

Megjithatë, e drejta për operime mes Kosovës dhe Zvicrës nuk do t’i takojë më Eurowings-it dhe agjentëve të autorizuar “Kosova Airlines”.

Dezignimi për këtë të drejtë i është revokuar.

“REVOKOHET autorizimi i lëshuar përmes Vendimit nr. Ref.533/18, të Ministrisë përgjegjëse për transport, për Kompaninë Eurowings GmbH, që në bashkëpunim me agjentin e autorizuar Kosova Airlines të ushtrojnë të drejtat e pakufizuara të trafikut ajror për në dhe nga Zvicra”, thuhet në vendimin e AAC-së.

Sipas arsyetimit të AACK-së, autorizimi i lëshuar para më shumë se pesë vitesh për “Eurowings” dhe “Kosova Airlines”, nuk përmbante asnjë kusht për mënyrën e shfrytëzimit të të drejtave për të operuar nga Zvicra.

Për këtë arsye, AAC-ja tha se ka vendosur për revokimin e të drejtës së deleguar për këto kompani pas përmbylljes së sezonit dimëror.

“Duke marrë parasysh interesin publik të vendit, faktin që Republika e Kosovës nuk ka kompani ajrore shtetërore e cila do të autorizohej për të ushtruar të drejtat e trafikut ajror në bazë të marrëveshjeve bilaterale të transportit ajror, në anën tjetër Kompania Eurowings GmbH nuk ka ndonjë kusht që përcakton mënyrën se si duhet të shfrytëzohet e drejta e marrë përmes Vendimit nr. Ref.533/18, AAC në përputhje me kompetencat që ka sipas Ligjit Nr. 03/L-051, me ndryshime, ka vendosur të revokoj autorizimin e lëshuar përmes këtij Vendimi”, ka thënë AAC-ja në vendim

Më tutje, ACC-ja ka njoftuar se shumë shpejt do të publikojë shpalljen e interesit për marrjen e të drejtave të trafikut ajror në emër të Kosovës, për në dhe nga Zvicra.

Ky vendim për autorizimin e dy kompanive ishte marrë duke u bazuar në një memorandum mirëkuptimi mes Kosovës dhe Zvicrës të 26 shtatorit 2009, për shërbime ajrore të ndërsjella.

Por, për shkak se Kosova nuk ka kompani ajrore të sajën që do ta shfrytëzonte këtë të drejtë, asokohe ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj ia kishte deleguar këtë të drejtë kompanisë gjermane “Eurowings” dhe agjentit të autorizuar “Kosova Airlines”. /Paparaci.com