Komisioni Evropian ka nisur sot hetimet ndaj platformës së rrjeteve sociale ‘TikTok’ sipas Aktit të Shërbimeve Dixhitale, për shkak të shkeljeve të mundshme në disa fusha, duke përfshirë mbrojtjen e fëmijëve.
Akti i Shërbimeve Dixhitale, i cili hyri në fuqi më 17 shkurt për të gjitha platformat që operojnë në BE, është një legjislacion horizontal që rregullon sesi aktorët online duhet të merren me përmbajtje të paligjshme dhe të dëmshme.
Vendimi aktual është rezultat i një hetimi paraprak, bazuar në një raport të vlerësimit të rrezikut nga TikTok dërguar Komisionit në shtator të vitit të kaluar, dhe në Kërkesat formale të institucionit të BE-së për informacion mbi përmbajtjen e paligjshme, mbrojtjen e të miturve dhe aksesin e të dhënave.
Siç theksoi edhe Komisioneri Evropian për Tregun e Brendshëm Thierry Breton në një postim në X, hetimi aktual do të fokusohet në shkeljen e mundshme të transparencës dhe mbrojtjes së të miturve, dhe brenda kësaj, në dizajnin e varur, kufijtë e kohës së ekranit por edhe ‘risqet që lidhen me faktin se platforma në fjalë është projektuar në një mënyrë që të krijojë varësi’ dhe ‘përmbajtje të dëmshme’.
“TikTok ka krijuar funksione dhe cilësime pioniere për të mbrojtur adoleshentët dhe për të mbajtur nën 13 vjeç jashtë platformës, çështje me të cilat po përballet e gjithë industria”, tha një zëdhënës i TikTok.