Ballina Aktualitet Lajme Plumb në hyrjen e shtëpisë së Arben Taravarit, të gjitha detajet (FOTO)

Plumb në hyrjen e shtëpisë së Arben Taravarit, të gjitha detajet (FOTO)

Në hyrjen e shtëpisë së kryetarit të Aleancës për Shqiptarët dhe  të Gostivarit sot në mëngjes është gjetur një plumb i pashkrepur, ndërkaq policia e Tetovës po heton rastin.

“Sot, më 5 shkurt, në ora 09:34, J.J.(42) nga Gostivari ka raportuar në SPB- Tetovë se para derës së hyrjes së shtëpisë së A.T.(50) në Gostivar, është gjetur një plumb i armës automatike e kalibrit 7.62 milimetra. Një ekip nga SPB Tetovë – Departamenti për Punë të Brendshme Gostivar ka kryer inspektim në vendin e raportuar, plumbi i gjetur është fotodokumentuar dhe është dërguar për ekspertizë. Po merren masa për pastrimin dhe dokumentimin e plotë të rastit”, thonë nga SPB Tetovë.

Rasti ka ndodhur në kohën kur tensionet mes Taravarit dhe ish kryetarit të Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela janë rritur për shkak se Taravari ka shprehur qëndrimin se partia do të shkojë në zgjedhje bashkë me opozitën shqiptare, ndërkaq Sela ka deklaruar se partia do të shkojë në zgjedhje vetëm.

Sela, dje në konferencë për shtyp kërkoi të shkarkohet Taravari pasi që sipas tij, e ka shkelur rëndë statutin e partisë.

Pos rastit të sotëm, mbrëmë pati dhe incident tjetër, gjegjësisht drejtori i Agjencisë për Menaxhim me Pronat e Konfiskuara, kuadër i Aleancës për Shqiptarët, mbështetës i Selës ka raportuar në polici se është sulmuar fizikisht në një restorant në Tetovë nga Krenar Osmani, udhëheqës i tifo-grupit “Ballistës”, i afërt me Taravarin. Nebiu thotë se nuk e njeh Osmanin, ndërkaq motivi sipas tij, mund të jetë ose për profesionin që ushtron ose për partinë, shkruan Portalb.mk.