Ballina Aktualitet Fotot/ Opozita protestë para parlamentit, Rama i rrethuar nga garda në sallë

Fotot/ Opozita protestë para parlamentit, Rama i rrethuar nga garda në sallë

Kur nisi seanca parlamentare këtë të hënë, salla e parlamentit ishte gjysëm bosh. 19 deputetë të opozitës qenë të përjashtuar nga kuvendi, ndërsa pjesa tjetër qëndronin jashtë të bllokuar nga garda, që nuk hapte derën e parlamentin nga frika se mos hynin të përjashtuarit.

Mungesa e opozitës për Partinë Socialiste dhe kryeministrin Edi Rama nuk është një problem. Përkundrazi, duke përfituar nga qetësia që u ka munguar prej kohësh, kryetarja e kuvendit Lindita Nikolla nisi seancën sikur çdo gjë të ishte normale. Foto më poshtë tregon se pamjen e sallës gjysëm bosh, në të cilën nisi punimet kuvendi.

Kuvendi i nisi punimet me opozitën e përjashtuar

Krejt e përmbysur ishte atmosfera jashtë kuvendit. Në rrugë kishin dalë mijëra opozitarë të thirrur për protestë. në hyrje të kuvendit qëndronin forcat speciale që kishin blinduar hyrjen kryesore.

Rreth orës 17:00 pasdite, rruga ishte e bllokuar, ndërsa për deputetët e opozitës ishte përgatitur një podium për të mbajtur fjalime. Fotot më poshtë tregojnë pamjet e rrugës së mbushur me demokratë që i ishin përgjigjur thirrjes së opozitës për të dalë në rrugë.

Policë të rreshtuar në hyrje të kuvendit për të ndalur hyrjen e qytetarëve protestues
Protestues me pankartën “Vrasës i pluralizmit” përballë kuvendit
Protestues me pankartën për parlamentin
Gardh policor para parlamentit gjatë protestës
Pamje nga lart e tubimit para kuvendit

Por ndërkohë që qytetarët qëndronin në rrugën përballë kuvendit, në oborr deputetët e opozitës ishin ndalur nga garda. Që në momentin që u afruan shefi i gardës i ndali dhe i tha që 19 prej tyre nuk do të lejoheshin të hynin në sallë. Në përgjigje mori refuzimin e deputetëve që i thanë se nuk do ta pranonin vendimin abuziv të kuvendit. Nga ky moment nisën shtyrjet dhe përplasjet mes deputetëve dhe gardistëve.

Tetova News në YouTube:

Kjo sherrnajë në hyrje të kuvendit zgjati disa minuta, nga të cilat Lindita Nikolla përfitoi nga rasti të niste seancën dhe t’i jepte fjalën Petro Koçit. Në rendin e ditës ishin takimet që deputetët kishin pasur me elektoratin.

Deputetët e opozitës duke u përplasur me gardistët në hyrje të kuvendit

Sapo disa prej deputetëve të opozitës mundën t’i shpëtojnë duarve të gardës, ata u sulën me vrull në sallë të acaruar nga përplasja që kishin pasur. Në pamjet më poshtë dallohet se si Gazmend Bardhi dhe Flamur Noka hyjnë me ulërima në sallë duke i bërtitur Lindita Nikollës.

Kaq ka mjaftuar që seanca të prishet. Deputetët kanë nisur të bërtasin ndaj Edi Ramës duke e quajtur “hajdut” dhe “kriminel” ndërsa pak nga pak janë shtuar dhe kanë nisur të shtojnë zhurmën. Në këto kushte, deputetët e Partisë Socialiste e kanë lënë përgjysëm teatrin dhe Lindita Nikolla ka vendosur t’i japë fund seancës.

Protesta e opozitës përballë parlamentit këtë të hënë u zhvillua nën sfondin e akuzave të forta që Arben Ahmetaj lëshoi ndaj Edi Ramës dhe prokurorëve të SPAK duke i përshkruar si dy palët e një operacioni që ka për qëllim t’i vërë kapak aferës së inceneratorëve.

“Siç e patë sot në Kuvend kishte ardhur bashkëpunëtori i Ahmetajt, i akuzuar nga ai si koka e inceneratorëve. Me një urdhër të paligjshëm deputetët u penguan të futen në seancë” u shpreh Gazmend Bardhi, që shtoi se vetëm në një regjim deputetët detyrohen të shqyhen nga xhaketa për t’u futur në sallën e kuvendit.

“Një ndër njerëzit më të afërm të tij, numri dy i qeverisë së tij Arben Ahmetaj tha se kreu i bandës është Edi Rama. E dëgjuat të gjithë me zë dhe me figurë që në kemi vjedhur, dhe ne pasi kemi vjedhur, e shkatërrojmë Shqipërinë” u shpreh Salianji.

“Mesazhi i numrit dy të kësaj organizatës kriminale që është Rilindja i hapi petët e lakrorit të krimit. E dëgjuan të gjithë, e pamë se cfarë tregoi, që kjo ngrehinë nuk ka lidhje me qytetarët. Ajo kryeministria nuk është asgjë, përveçse skutë e mafies dhe e krimit ku bëhen pazare për tju vjedhur”, tha Noka.

Pas fjalimeve të deputetëve, mijëra qytetarë të opozitës kanë lëvizur në këmbë drejt shtëpisë së Sali Berishës, ku lideri i opozitës qëndron i izoluar tashmë prej më shumë se një muaji./Lapsi.al