Ballina Top Lajm VIDEO/ASH i bashkohet LEN-it, bëhen “VLEN”. Opozita shqiptare zyrtarizon bashkëpunimin për zgjedhje

VIDEO/ASH i bashkohet LEN-it, bëhen “VLEN”. Opozita shqiptare zyrtarizon bashkëpunimin për zgjedhje

Opozita e bashkuar shqiptare u rrit edhe më shumë. Tashmë nuk quhet Lidhja Europiane për Ndryshim LEN, por VLEN.

Lëvizjes Besa, Alternativës, Lëvizjes Demokratike dhe Vetëvendosjes si mbështetëse të tyre, ju bashkua edhe kryetari i Aleancës për Shqiptarët Arben Taravari.

Ai, Bilall Kasami, Izet Mexhiti, Afim Gashi e Bekim Qoku u pritën me ovacione dhe muzikë patriotike në sallën ku u finalizuar bashkëpunimi LEN-ASH.

Taravari, i cili është edhe kandidat i opozitës për President, u shpreh se kundërshtar i opozitës së bashkuar shqiptare është sistemi i kalbur 22 vjeçar që, siç u shpreh, i ka nënçmuar shqiptarët në çdo aspekt.

“Unë tash fuqimisht besoj, prej përkrahjes që e morra prej të gjitha partive opozitare shqiptare se për herë të parë një shqiptar do të kalojë në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale”, tha Arben Taravari, kryetar I ASH.

Kreu i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti, u shpreh se kandidatura e Taravarit për president ka gjasat më reale që të jetë përfaqësues i shumicës së dytë i shqiptarëve të Maqedonisë, duke shkuar në rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale.

“Më 24 prill ne do të dëshmojmë dhe demonstrojmë se ky shtet ka dy shumica dhe dhjetëra pakica; dhe ne si shumicë e dytë kemi kapacitet intelektual, njerëzor, që të garojmë për president të këtij shteti me z.Taravari dhe i ftojmë të gjitha subjektet tjera politike shqiptare të mbështesin këtë kandidaturë”, u shpreh Izet Mexhiti, kryetar I LD.

Kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, u shpreh se bashkimi i ASH-së në koalicion tregon për shpirtin revolucionar dhe vullnetin e shqiptarëve për ndryshim, andaj i tha Taravarit që të jetë i bindur se vendimi i tij ja vlen.

“Kjo lidhje bën bashkë shqiptarët e Maqedonisë së Veriut dhe ata të Kosovës. Ky bashkim na çon afër me Shqipërinë. Ky bashkëpunim rrit më shumë faktorizimin e shqiptarëve në Ballkan”, tha Bilall Kasami nga L.Besa.

Kreu i Alternativës, Afrim Gashi, shkoi edhe më larg – tha se fitores së këtij koalicioni ia ka frikën edhe Presidenti i Serbisë.

“Tash kur prej fitores na ndajnë edhe më pak se 3 muaj dhe kur nga kjo fitore është tmerruar edhe Vuçiqi, kjo është një lajm i mirë se kështu po hapet një kapitull i ri i shpresës për mirëqenie, integrim, arsim cilësor, familje të shëndoshë dhe për shtet të konsoliduar ligjor”, u shpreh Afrim Gashi, kryetar I Alternativës/

Bekim Qoku, këshilltar i kryeministrit Albin Kurti për Maqedoninë e Veriut, theksoi se ndryshimi do të ndodhë ashtu si në Kosovë.

“Mund të themi se ndryshimi tashmë ka filluar. Si aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje e di çfarë është ndryshimi shumë i madh, çfarë është ndryshimi i vërtet sipas modelit të Kosovës. Prandaj mendoj se edhe këtë ndryshim mund ta sjellim së bashku me ju. Albin Kurti dhe Vetëvendosja si kurrkush tjetër e di se ndryshimi mund të ndodhë”, tha Bekim Qoku, këshilltar i kryeministrit Albin Kurti për RMV-në.

Nënshkrimi i këtij bashkëpunimi të VLEN korrespondoi me ditën e pavarësisë së Kosovës, 17 shkurt.