Ballina Aktualitet BDI nënçmon gazetarët dhe oponionistët vendas, gjuan miliona tek ata në Kosovë...

BDI nënçmon gazetarët dhe oponionistët vendas, gjuan miliona tek ata në Kosovë e Shqipëri!

Nga Adnan Azizi

BDI me paratë e qytetarëve paguan gazetarë e media në Kosovë që ta lavdërojnë, pasi ka frikë nga mediat dhe gazetarët në Maqedoni, andaj mundohet t`i nënçmojë e poshtërojë!

BDI po shpenzon mliona eruro, para nga taksat e qytetarëve për të korruptuar analistë dhe gazetarë nga Kosova e Shqipëria, për të blerë mediumet vendore, vetëm e vetëm që ta shpëtojnë nga humbja katastrofale që do t`i ndodh më 8 maj. E kjo ndodh kur “Hesapi i shtëpisë nuk të del në pazar”!

Paniku i BDI-së është tepër i madh, saqë ka pronësuar dhjetëra portale, televizione, ka angazhuar qindra gazetarë e analistë për të punuar në mediumet e paguara nga BDI, të cilat përsëri nuk arrin efekt në opinion, pasi siç thotë një fjalë e urtë “Populli ta lexon letrën në xhep” dhe çdo ditë e më tepër ua dërgon mesazhin se “kot e keni, nuk e hamë më çorbën tuaj që e gatuani për 22 vite”.

Për këtë arsye, nuk ju ndihmojnë jo vetëm media dhe gazetarët nga Kosova e Shqipëria, por sikur edhe nga e gjithë bota t`i mblidhni.

Aq poshtë keni rënë, saqë po i nënçmoni të gjitha mediat shqiptare në vend, po i nënçmoni dhe po i përbuzni të gjithë gazetarët shqiptarë në Maqedoni, duke dashur t`u thoni se “Ju nuk dini, nuk jeni të aftë, andaj ne do të sjellim ‘gazetarë’ e ‘media’ nga Kosova e Shqipëria”!

Po arsyeja pse po mundoheni t`i nënçmoni dhe nuk mund të përballeni me televizionet, gazetarët dhe mediat online në vendit është fakti se ata ua dinë të gjitha të bëmat, krimet, tenderët dhe mënyrën se si jeni pasuruar. E kur do jua kujtojnë këtë në publik nuk do ju vijë mirë, do ju djegi dhe do ju demaskojnë.

Vetëm kjo është arsyeja pse keni mbeldhur të gjithë grupën e gazetarëve dhe analistëve me pagesë nga Kosova e Shqipëria për të bërë fushatë për BDI-në në Maqedoni e për tu nxjerrë fitues. Keni mbledhur mediat, gazetarët dhe analistët më të padëshiruar në mbarë shqiptarinë, tek të cilët derdhni shuma milionëshe, për të larë mendjen e qytetarëve. Por keni bërë gabim shumë të madh, sepse keni dështuar që në fillim. Ju po mundoheni të fitoni me ata të cilët, po paguhen vazhdimisht nga kundërshtarët politik të Albin Kurtit dhe Vetëvendosjes, por të cilët vazhdimisht kanë dështuar, pasi janë figura që shfaqin milionat e derdhura tek to nga politikanët e Kosovës, Shqipërisë e Maqedonisë e që irritojnë së tepërmi qytetarët shqiptarë. Andaj sa më shumë këto media, gazetarë e analistë kritikonin Albin Kurtin, aq më tepër ai fitonte mbështetjen e popullit. Këta janë ata të cilët duke e sharë Albinin, ai arriti fitoren historike me mbështetje prej 51% në Kosovë.
Edhe këtu në Maqedoni, me argatët që po bëjnë monologe demode, duke i thurur lavde BDI-së, vetëm se ja rrisni fitoren opozitës. Ndërsa Juve shumë shpejtë do ju dalë në shesh harxhimi i parave të qytetarëve në harram.

Sa keq që nuk mund të sillni edhe votues nga Kosova e Shqipëria!

Reagimi i Televizionit Klan Maqedoni:

Skandal: Adnan Azizi nga Besa sulm brutal ndaj TV Klan M dhe gazetarëve nga Kosova e Shqipëria!

Adnan Azizi, eksponent i lartë i Lëvizjes Besa dhe opozitës shqiptare VLEN, ka adresuar akuza të vrazhta dhe brutale ndaj emisionit Debat Plus të Ermal Pandurit, Televizionit Klan Maqedoni dhe opinionistëve dhe gazetarëve që morën pjesë në debatin e mbrëmshëm që erdhi si rezultat i bashkëpunimit midis udhëheqësit Ermal Panduri dhe televizionit Klan Maqedoni.

Ai përmes një postimi në Facebook, duke shfaqur gjuhë të urrejtjes ndaj Klan M dhe gazetarëve dhe opinistëve nga Kosova, pretendon se ata janë të korruptuar nga BDI-ja. Madje implikon edhe Kosovën në këtë sulm brutal.

 “Keni mbledhur mediat, gazetarët dhe analistët më të padëshiruar në mbarë shqiptarinë, tek të cilët derdhni shuma milionëshe, për të larë mendjen e qytetarëve. Por keni bërë gabim shumë të madh, sepse keni dështuar që në fillim. Ju po mundoheni të fitoni me ata të cilët, po paguhen vazhdimisht nga kundërshtarët politik të Albin Kurtit dhe Vetëvendosjes” – thuhet në postimin në Facebook të Adnan Azizit të Besës.

Klan M ia rikujton z.Azizit se në emisionin “Debat Plus” të Ermal Pandurit kanë “defiluar” edhe eksponentë të koalicionit VLEN, sikurse Arben Taravari dhe Izet Mexhiti.

Aq më tepër, kanë marrë pjesë edhe nëpër emisionet e gazetarëve nga Kosova dhe Shqipëria që vazhdimisht sulmohen me gjuhë të urrejtjes nga eksponentë të këtij koalicioni.

Po, ia rikujtojmë z.Azizi pjesëmarrjen e Arben Taravarit në “Opinion” të Blendi Fevziut por edhe në “Rubikon” të Adriatik Kelmendit.

z.Azizi atëherë në shërbim të kujt ishin këta gazetarë?

Adnan Aziti po sulmon vrazhdë televizionin Klan Maqedoni, Blendi Fevziun, Berat Buzhalën, Adriatik Kelmendin Ermal Pandurin, Lirim Mehmetajn, Imer Mushkolajn, Nuri Bexhetin dhe të tjerët.

Klan M shpreh shqetësim të thellë nga tentativa e eksponentëve të koalicionit VLEN për të imponuar ndasi midis shqiptarëve në Maqedoni të Veriut, Kosovë dhe Shqipëri dhe nuk dëshirojmë të besojmë se këtë qëndrim e kanë edhe drejtuesit e koalicionit VLEN. Andaj u jemi drejtuar të gjithë drejtuesve të këtij koalicioni nëse ndajnë qëndrimin e z.Azizi dhe nëse distancohen nga fjalori i tij.

“Kërkojmë nga z. Arben Taravari, z. Bilall Kasami, z. Afrim Gashi, z. Izet Mexhiti dhe z. Bekim Qoku, si drejtues të opozitës shqiptare dhe bashkëpartiak të Adnan Azizit, që të dënojnë dhe të distancohen nga sulmi brutal dhe shpifjeve skandaloze ndaj televizionit Klan Maqedoni, gazetarëve, opinionistëve dhe autorëve të programit”, Klan Maqedoni.

Klan Maqedoni gjithashtu kërkon nga Shoqata e Gazetarëve, Agjencia e Mediave, kolegët nga mediat tjera, të dënojnë ashpër gjuhën e urrejtjes si dhe sulmet e vazhdueshme ndaj Klan Maqedoni, gazetarëve, opinionistëve dhe autorëve të programit “Debat Plus”.

Adnan Azizi të kërkojë falje menjëherë për të gjitha shpifjet dhe akuzat e bëra në postimin e tij në Facebook, në të kundërtën do të përballet me padi në gjykatë./tvklan.mk

BDI: Opozita shqiptare ndanë shqiptarët e Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë dhe sulmon mediat e gazetarët

BDI përmes një komunikate ka theksuae se “opozita shqiptare më në fund e ka kuptuar se më 24 prill dhe më 8 maj do të pësojë humbje të thellë nga Bashkimi Demokratik për Integrim.”

Sipas komunikatës, nëse deri më tani fajin për humbje nga BDI ia hidhnin njëri-tjetrit, tani akuzojnë edhe mediat dhe gazetarët nga Shqipëria dhe Kosova.

“Madje, duke shpifur se janë shitur për të mbrojtur BDI-në dhe akuzuar opozitën.

Adnan Azizi, Sekretari Organizativ i Lëvizjes Besa dhe eksponent i lartë i opozitës shqiptare shpif se “BDI po shpenzon miliona euro, para nga taksat e qytetarëve për të korruptuar analistë dhe gazetarë nga Kosova e Shqipëria, për të blerë mediumet vendore, vetëm e vetëm që ta shpëtojnë nga humbja katastrofale që do i ndodh më 8 maj”.

Bashkimi Demokratik për Integrim me shqetësim të thellë ndjek shpifjet dhe akuzat e pabaza ndaj çdonjërit që mendon ndryshe nga opozita, ndërsa fton të njëjtit të mos involvojnë struktura, personalitete, gazetarë dhe media nga Shqipëria dhe Kosova në fushatën parazgjedhore në Maqedoninë e Veriut dhe mos të ofendojnë media dhe gazetarë.

Njëkohësisht informojmë opinionin se Bashkimi Demokratik për Integrim respekton fjalën e lirë, pasi vlerësojmë se korrektori kryesor demokratik i pushtetit është media e lirë dhe e pavarur që e thotë të vërtetën dhe vetëm të vërtetën. I bëjmë me dije opozitës që, duke shpif për media dhe gazetarë shqiptarë nga Kosova dhe Shqipëria, nuk i bën nder askujt përveç shefave me qendër në Moskë dhe Beograd.

Lufta hibride e koordinuar me VMRO-DPMNE-në dhe Levicën tashmë po kalon çdo parashikim për fushatë të pistë të opozitës, andaj i bëjmë thirrje opinionit të verifikojnë çdo lajm dhe informatë që vjen nga i ashtuquajturi “Koalicioni Vlen””, thuhet në reagim.