Fabrika e plastikes brenda Parkut të Biznesit në fshatin Korroticë e Epërme të Drenasit u dogj e tëra nga një zjarr i madh që e kaploi. Pas shumë orësh përpjekjeje, zjarrfikësit e kanë vënë nën kontroll zjarrin që kaploi këtë fabrikë dhe nuk ka pasur pasoja në njerëz përveç dëmeve materiale. Por ende nuk dihen shkaktarët e zjarrit.
Tri fabrika të kompanisë “Plastika” janë përfshirë nga flakët rreth orës 10 e 30 të paradites në Parkun Industrial në Korroticë të Epërme të Drenasit.
Në vendin e ngjarjes për ta shuar zjarrin kanë dalë ekipe të shumta të zjarrfikësve nga Drenasi, Prishtina, Skenderaj e Lipjani.
Ndonëse zjarri nuk është ndalur, shefi i operacionit për shuarjen e tij, Afrim Gjeli, ka thënë gjatë pasdites se nuk ka rrezik më për përhapjeje të mëtejshme.
Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, gjatë ditës ka kërkuar ndihmë edhe nga KFOR-i, e në vendngjarje është vërejtur KFOR-i slloven.
Tymi nga Fabrikat është vërejtur gjatë ditës prej fshatit Vragoli të Fushë- Kosovës.
Nga kompania “Plastika” kanë thënë për KOHËN se dëmi i shkaktuar është mbi 10 milion euro.
Zjarrfikës me të cilët ka pasur kontakt redaksia kanë thënë se rryma mund të jetë shkaktar i zjarrit, porse vetëm hetimi pas shuarjes së zjarrit mund ta saktësojë shkakun e zjarrit.