Udhëtim falas me tren nëpër Evropë, kjo është mundësia e ofruar nga Komisioni Evropian me nismën “DiscoverEu” që ka vënë në dispozicion 35 mijë e 500 leje për të rinjtë e lindur nga 1 Korriku 2005 deri më 30 Qershor 2006. Për të marrë biletat, aplikantët duhet t’i përgjigjen një kuizi me gjashtë pyetje në Portalin Evropian të Rinisë. Njoftimi për shtyp shpjegon se komisioni do të rendisë kandidatët në bazë të përgjigjeve të tyre dhe do të ofrojë bileta treni në bazë të renditjes, brenda kufijve të biletave të disponueshme. Aplikantët e përzgjedhur do të marrin një biletë falas për udhëtimin me tren në Evropë midis 1 Korrikut 2024 dhe 30 Shtatorit 2025 për një periudhë maksimale prej 30 ditësh.
Përfituesit, përveç kuponëve falas hekurudhor nëpër Evropë do të marrin edhe një kartë zbritje me mbi 40.000 opsione zbritje në transportin publik, kulturën, akomodimin, ushqimin, sportin dhe shërbime të tjera në vendet që do të vizitohen. Nisma ka nisur në Qershor 2018 dhe deri më sot ka lejuar shpërndarjen e 284 mijë lejeve për të rinjtë evropianë. Ftesa është e hapur për të gjithë qytetarët e Bashkimit Evropian dhe vendet e lidhura me programin Erasmus+ , duke përfshirë Islandën, Lihtenshtajnin, Maqedoninë e Veriut, Norvegjinë, Serbinë dhe Turqinë.