Ballina Teknologji Shpërndanin fotografi dhe video të ndryshme intime, kërkohet paraburgim për administratorin e...

Shpërndanin fotografi dhe video të ndryshme intime, kërkohet paraburgim për administratorin e grupit “Albkings”

Prokuroria Themelore e Prishtinës ka paraqitur kërkesën për caktimin e paraburgimit për njërin nga administratorët e grupit “Albkings”, i cili është ndaluar të mërkurën.

Kështu ka bërë të ditur për Telegrafin, zëdhënësja e kësaj prokurorie, Laureta Ulaj.

“Për rastin e Albkings, ju njoftojmë se Prokuroria ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, në gjykatën kompetente”, ka deklaruar Ulaj.

Ndryshe, Prokuroria Themelore të mërkurën përmes një njoftimi bëri të ditur se pas zbatimit të masave të fshehta teknike të hetimit dhe vëzhgimit, në orët e vona të dt.16.04.2024, është arrestuar fillimisht i dyshuari dhe me vendim të Prokurorit të Shtetit është ndaluar për 48 orë njëri nga administratorët e grupit në fjalë, për shkak të veprës penale “Vjedhja e identitetit dhe kredencialeve”.
Kujtojmë se në grupin “Albkings” në rrjetin social Telegram bëhej shpërndarja e fotografive dhe videove të ndryshme intime të femrave në aplikacionin e lartcekur, përfshirë edhe të dhënat personale të tyre për ofrimin e shërbimeve seksuale.

Lidhur me arrestimin e njërit prej pjesëtarëve të këtij grupi ka reaguar edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila e mirëpriti arrestimin e administratorit.

Sipas saj, ky grup numëronte rreth 100 mijë përdorues të cilët e shfrytëzonin si platformë për denigrim, shantazh, kërcënim, shpifje, abuzim ndaj vajzave dhe grave. /Telegrafi/