Gazetari Baton Haxhiu u është përgjigjur akuzave të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj duke u shprehur se gjuha e tij është e parpranueshme.
“Ajo që dua të them është kjo. Nuk e di a duhet të flas, apo më çfarë gjuhe të flas, përveç se të refuzoj estetikisht çdo fjali të përdorur për një gjë të tillë, për arsye se nuk komentohet një konstatim i përçartë.
Janë tri gjëra që dua ti them. Më së pari, ai ka një konstatim primitiv, në një botë ku për shembull 3 milionë shqiptarë jetojnë vetëm në BE dhe Britani dhe secili nga të tjerët të përdorshin gjuhën e Erion Veliajt, atëherë do të ishte e tmerrshme se sa të forta dhe raciste do të ishin fjalitë.
Nuk ja vlen të komentohet, për arsye se nuk është as gjuhë që përdoret dhe as nuk është e vërtetë në fakte, por nuk dua të lëndoj të tjerët për faktin se qytetarët e Tiranës kanë një kryebashkiak të tillë dhe PS-ja një përfaqësues të tillë.
Është fjalor që ka brenda urrejtje, mosdije, shpifje, pa fakte dhe ndërtim i një rrëfimi që është për të ardhur keq. Unë e kam bërë një luftë goxha të gjatë në Kosovë për të qenë i lirë, për të ma ndaluar dikush se ku të shkoj, e aq më pak Erion Veliaj.
E unë atë luftë e kam fituar, dhe kur e kam fituar atë luftë me atë armik të fortë, mundesh me marrë me mend se sa i llogaris të tjerët që përdorin të njëjtën gjuhë. Gjuha ime nuk ka fjali për tu ballafaquar me një gjë të tillë.
Kisha detyrim ndaj fakteve të munguara dhe natyrës raciste të një njeriu që nuk kupton se çfarë është ajo gjuhë dhe udhëheq bashkinë e Tiranës. Tirana ka aq shumë intelektual, njerëz të cilët e kuptojnë se çfarë është ajo gjuhë.
Çdo njeri do të ishte i ofenduar nëse një kryebashkiak flet një gjë të tillë. Le të flasin ata të cilët e përjetojnë një njeri që e përfaqëson. Mua asnjëherë s’më ka përfaqësuar dhe refuzoj të flas” – tha Baton Haxhiu në SYRI TV. /LAPSI.al
Erion Veliaj doli nga ndërtesa e SPAK me lajthitje të ngjashme me ato të Ilir Metës. Pasi Dumani e nxori në gënjeshtër, se e kishin thirrur dhe nuk ishte paraqitur me vullnet të lirë në Prokurorinë Speciale, pasi e lanë të priste një orë tek dera, pasi e mbajtën 8 orë brenda, “Lali” s’gjeti mënyrë më të mirë sesa të sulmonte gazetarët.
Që në mëngjes propogandistët e bashkisë patën shpërndarë një fotomontazh me disa gazetarë, bashkimi i të cilëve si armiq të lalit i bënte nder këtij të fundit.
Mes të shumtëve që Veliaj ka sulmuar ka qenë edhe Baton Haxhiu i cili i është përgjigjur flakë për flakë sulmeve të kryebashkiakut. Një natë më parë Haxhiu deklaroi tek gazetari Çim Peka se, nëse do të kishte qenë ai në vendin e Veliajt, ai do të kishte dhënë dorëheqjen pas skandaleve të shumta që i kanë ndodhur. Kaq mjaftoi që me të dalë nga dera e SPAK, në një monolog të përçartë, Lali ta sulmonte.
Duke komentuar emisionet e mbrëmjes së një dite më parë, Veliaj tha se secili prej analistëve që e sulmon, nuk ka shqetësimin e qytetarëve, por e bën për favoreve personale që nuk ua jep bashkia e Tiranës.
“E di ai tjetri çfarë ka kërkuar për sondazhet që nuk i bën dhe faturon shifra të panevojshme dhe kur nuk e duan në Kosovë, në Shqipëri nuk e duan aspak” tha ai duke bërë termometrin e dashurisë njerëzore në adresë Haxhiut.
Duket se thirrja për dorëheqje, e ardhur nga një gazetar që i shpreh pa ngurim qëndrimet pro kësaj mazhorance dhe sidomos ndaj Edi Ramës, i kishte djegur disafish kryebashkiakut, prandaj ai e futi atë në grupin e atyre që kërkojnë favore personale.
Por i menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i Baton Haxhiut i cili e etiketon Veliajn si majën e piramidës “së një sistemi të frikshëm të vjedhjes sistematike, shkëmbimit të shërbimeve për interesa të ngushta dhe dhënies së favoreve ekonomike”: “Nëse ‘Lali’ në majë të skemave kriminale mendon se unë duhet ta kursej nga kërkesa dorëheqje edhe në kushte kur tërë të emëruarit e tij janë përfshirë në hetim mëse të merituar kriminal, atëherë ai nuk është thjeshtë gabim, sepse shembulli i punës sime për tridhjetë vite në gazetari dhe angazhime publike tregon krejtësisht të kundërtën.
Po ashtu, gënjeshtra e tij se unë i paskam kërkuar ‘sondazhe’ me çmime të ‘panevojshme’ nuk shpërfaq thjeshtë brendësinë e një njeriu paskrupuj dhe mashtruesi.
Fundja, unë me Erion Veliajn kam bërë vetëm biseda shumë sipërfaqësore në gjithsej dy apo tre takime për tërë jetën time, sepse mungesa e personalitetit moral dhe cektësia e tij politike kanë shkaktuar brenda meje vazhdimisht një dëshirë të papërmbajtshme për të qëndruar sa më larg tij.
Sidoqoftë, shpikja e tij se kritika e ime buron nga mospërmbushja e disa kërkesave për ‘sondazhe’ me ‘çmime të panevojshme’ shpërfaq nënvetëdijen e korruptuar të të parit të kryeqytetit të Shqipërisë” thuhet në reagimin e Haxhiut.
Botuesi i Albanian Post cilëson se Veliaj gjendet sot “në një situatë të dëshpëruar” dhe ai i bën sfidë duke ngritur një pyetje:
“Mirë, Erion, e zëmë për një çast se të gjithë ne jemi edhe të poshtër, edhe maskarenj dhe asgjë hiç më shumë se një llum.
A e ndryshon kjo faktin se një kryetari të cilit i bien të gjithë drejtorët me rëndësi në një proces gjyqësor për skema kriminale, një figure politike e cili po ashtu është nën hetim nga SPAK dhe njeriu kryesor në krye të aferës së djegësëve duhet dhënë dorëheqje në një shoqëri të mirëfilltë demokratike? Aspak.
Në fakt, dorëheqja është më e pakta sepse në një rrethanë normale do ishe prej kohësh i mbyllur në një hapësirë të ngushtë pas grilash.
Prandaj, në vend të luftërave shterpe për tërheqje të vëmendjeve të audiencave të militantëve patronazhistë, është më e udhës që diskutimi për këtë çështje të ndodhë brenda një kornize demokratike, sado e vështirë të jetë një ndërmarrje e tillë për ty”…
Përpos asaj që pohon Baton Haxhiu ka edhe një pyetje që ai se përmend. Le të abuzojmë një moment se ata që akuzojnë Veliajn janë matrapazë. Shumë prej tyre janë opozitarë. Por ama Baton Haxhiu nuk është i tillë. Ai është një mbështetës i kësaj maxhorance. Pra, i bie se kur ai flet pro Ramës, qenka Rama qe e paskësh blerë. Autogol më të madh për një manipulator me mendjen e një nxënësi filloreje nuk ka. Veliaj sa herë flet pëson Bommerang. Dhe e vërteta se pse atë po e lëshojnë të gjithë, madje edhe të vetët, nuk ka të bëjë me shitjen apo blerjen, po thjesht me faktin se po shtohen radhët e atyre që u vjen ndot nga vetja të vazhdojnë të mbrojnë Lalin.
©Lapsi.al