Ballina Aktualitet Dekorimi i Ali Ahmetit/ Maqedonia si fushë beteje mes Ramës dhe Albin...

Dekorimi i Ali Ahmetit/ Maqedonia si fushë beteje mes Ramës dhe Albin Kurtit

Parakalimi i liderit të BDI-së, partisë të shqiptarëve në Maqedoni, para Këshillit të Bashkiak të Tiranës, ishte shumë më tepër sesa një testim për të matur temperaturën e mardhënies Rama-Veliaj, ashtu sikurse u pasqyrua në pjesën më të madhe të mediave. Pas kësaj ceeremonie dhe dekorimit të Ahmetit me urdhërin qytetar nderi i kryeqytetit, fshihet dora e Tiranës diplomatike për të forcuar influencën në rajon.

Në “nderin” që iu bë atij që Rama e quajti si një “një shqiptar ndër më të mirët e historisë sonë kombëtare, kishte një kalkulim të pastër elektoral. E gjitha qe konceptuar si një qokë ndaj Ali Ahmetit, i cili këtë 8 maj do të përballet me garën më të vështirë elektorale që prej fillimviteve 2000.

Kundër BDI-së, partisë që ai drejton, është grumbulluar koalicioni më i madh i opozitarëve shqiptarë që është ndërtuar ndonjëherë. Partitë e tubuara nën logon VLEN- synojnë një rezultat të kënaqshëm që do ta bënte këtë koalicion partnerin e ardhshëm të qeverisë së re maqedonase.

Lideri i opozitës maqedone, Hristijan Mickoski, që ashtu sikurse tregoi raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale, duket se do të jetë fituesi i thellë dhe kandidat për kryeministër, ka deklaruar publikisht se ai planifikon ta drejtojë vendin në bashkëqeverisje me shqiptarët e VLEN, duke e dërguar BDI-në në opozitë. “BDI si parti politike erdhi në pushtet me një histori të të drejtave të njeriut dhe përfundoi si parti që ankohet për të drejtat e njeriut dhe vjedh si të vetët ashtu edhe të tjerët. Kjo është arsyeja pse në këto zgjedhje duhet thënë atyre – se koha e tyre ka kaluar! Është koha për përgjegjësi. Këto ditë më kanë vërshuar mesazhet që më dërgojnë. Unë kam qenë gjithmonë i drejtpërdrejtë – mos më dërgoni nëpër kanale të ndryshme ata emisarët dhe korrierët që thonë – kam menduar të bëj koalicion pas zgjedhjeve. Nuk e di nëse e dini apo jo, por unë nuk jam Kovaçevski, as paraardhësi i tij. Me mua nuk ka pasur dhe nuk do të ketë marrëveshje të tilla në dëm të popullit dhe nën tavolinë”, – tha ai në një tubim në Manastir duke iu drejtuar BDI-së.

Natyrisht ky qëndrim nuk i ka pëlqyer Ali Ahmetit, i cili qëndron prej dy dekadash në qeverisje edhe kur zgjedhjet i fiton LSDM ja e majtë edhe kur ato i fiton VMRO-ja sovraniste. Ai i mbahet parimit të pashkruar se çdo qeverisje e këtij vendi multietnik duhet të ndërtohet si një koalicion i partisë fituese të maqedonëve dhe partisë fituese të shqiptarëve. Por që ta arrijë këtë ai është i dënuar të arrijë një super rezultat në këto zgjedhje. Dhe për këtë ai i kërkoi një nder mikut të tij Edi Rama, për t’u dukur sikur në këtë betejë elektorale ka nga pas edhe Tiranën zyrtare.

Rama ia plotësoi kërkesën madje u rikthye pas 13 vitesh të shkelte në bashki, enkas për të ndihmuar Ali Ahmetin. Por lëvizja e kryeministrit shqiptar nuk nisej vetëm nga parimi i miqësisë alturiste. Ai e ka pasur prej kohësh Ali Ahmetin si një aleat edhe në ditët e vështira të projektit të tij të Ballkanit të Hapur, në bashkëpunim me presidentin serb Vuçiç. Kur të gjithë faktorët shqiptarë ishin kundër kësaj nisme që i voliste vetëm Beogradit, si parti qeverisëse, BDI, e Ahmetit e mbështeti atë si parnere e koalicionit, fillimisht të Zaevit dhe më pas të Kovaçevskit.

Madje kjo mendohet se ka qenë një nga arsyet që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti vendosi të përfshihet në zgjedhjet maqedone të 8 majit, në përkrahje të opozitës shqiptare. Ndonëse publikisht Kurti ka deklaruar se Vetëvendosja nuk garon në zgjedhjet e 8 majit, “de facto” ai ka njerëzit e tij në listat e VLEN e në mes tyre edhe ish këshilltarin e tij Bekim Qoku. Ai i ka pritur dhe i ka mbështetur udhëheqësit e opozitës shqiptare, ka zhvilluar tubime paraelektorale përkrah tyre dhe ka vënë në shërbim popullartitetin e tij mes shqiptarëve të Maqedonisë për të pasur një rotacion të pushtetit në Shkup.

Pikërisht për ti vënë digë ambicieve të Kurtit është futur në lojë dhe Edi Rama. Kryeministri shqiptar nuk mund ti lejojë vetes, që pasi ka humbur totalisht influencën mbi qeverinë e Prishtinës, ti priten lidhjet edhe me atë të Maqedonisë. Në një situatë, kur raporti i tij me Vuçiçin është ftohur, kur në Podgoricë nuk drejton më Dritan Abazoviçi, kur mardhëniet e fqinjësisë së mirë me Athinën kanë shkuar për dreq, ai do të bëjë gjitthçka që që të ruajë një dorë mbi qeverinë e re në Shkup. Rama nuk e pranon dot këtë rënie të lirë të influencës në rajon. Prandaj ai i erdhi në ndihmë Ali AhmetiT. Dhe prandaj i bëri qokën e ceremonisë së dekorimit në Tiranë, për të mos e lënë garën elektorale të 8 majit, në vendin fqinjë, vetëm në duart e trysnisë që po ushtron Albin Kurti.

©Lapsi.al