Mbrojtësi kuqezi Marash Kumbulla mund të largohet nga Italia pas kampionatit Europian. Mediat italiane raportojnë se për Kumbullën kanë shfaqur interes Hamburgu dhe disa klube të tjera nga Bundesliga.
Këtë hipotezë të bujshme rreth mbrojtësit të Kombëtares shqiptare e ka theksuar sot një nga ndërmjetësit e tij, Lukas Karminitana në mediat italiane.
“E ardhmja te Roma? Varet gjithçka nga De Rosi. Mendoj se ka mundësi që të shkojë jashtë, veçanërisht në Gjermani”, tha ai rreth mbrojtësit kuqezi.
Karminitana ndërkohë ka treguar edhe prapaskenat e ditës së fundit të merkatos të dimrit, kur Kumbulla zgjodhi Sasuolon e jo një klub gjerman që ishte interesuar për të.
“Në ditën e fundit të merkatos kishte interes të madh nga Hamburgu për Marash Kumbullën. Për fat të keq, ai nuk po luan rregullisht, por ka gjithmonë pak treg në Gjermani, mes skuadrave të vendeve të pjesës së poshtme të Bundesligës dhe atyre të Bundesligës 2. Vetë lojtari ka dëshirë të presë ende”, tha ndërmjetësi i merkatos.