Riorganizimi i Qeverisë dhe ndryshimi i numrit të ministrive do të jetë ligji i parë që do të vihet para deputetëve, thotë kryeparlamentari i ri, Afrim Gashi, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, e cila do të transmetohet këtë fundjavë.
Sipas tij, ndër zgjidhjet ligjore që duhet të ketë prioritet është ligji që do të parandalojë zgjedhjet shtesë për kryetarët e komunave në ato komuna, kryetarët e të cilave do të vendosin të hyjnë në pushtetin ekzekutiv.
“Tani jemi përballë sfidës që të kemi drejtues komunalë që do të zgjidhen për pesë, gjashtë muaj dhe pastaj për shtatë, tetë muaj do të ketë sërish zgjedhje. Mendoj se është e gabuar dhe në kundërshtim me Kushtetutën që dikush të zgjidhet për një mandat katërvjeçar, dhe dikush të zgjidhet me të njëjtat vota në zgjedhje me mandat tetë muajsh. Mendojmë se është jokushtetuese dhe duhet të korrigjohet me një ligj që do ta bëjë të mundur”, tha Gashi për Radion Evropa e Lirë.
Deri më tani po llogaritet me emrat e Mutsunskit dhe Taravarit që mund të bëhen ministra në Qeverinë e re, ndërsa Bexheti tashmë është larguar nga posti në Saraj pas verifikimit të mandatit të tij si deputet.
VMRO-DPMNE nuk dëshiron të komentojë për këtë temë. Burime nga partia thonë për Radion Evropa e Lirë se çështja duhet të hapet pas formimit të Qeverisë.