Ballina Aktualitet Mexhiti i drejtohet BDI-së me tri pika për legjitimitetin e votës shqiptare

Mexhiti i drejtohet BDI-së me tri pika për legjitimitetin e votës shqiptare

Kryetari i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti i ka përmendur tri pika që siç thotë, po ia rikujtojnë BDI-së disa fakte për legjitimitetin e votës shqiptare, përcjell TV21.

Mexhiti tha se BDI që nga viti 2002 ka refuzuar bashkëpunimin me partitë shqiptare ndërkohë që koalicion pati me VMRO-në dhe LSDM dhe shtoi se legjitimitetin e votës shqiptare në zgjedhjet e vitit 2024 e ka shkelur BDI dhe Ali Ahmeti, ndërsa për Frontin Europian, Mexhiti tha se cënonë identitetin shtetformues të shqiptarëve të Maqedonisë dhe se pikërisht ky koalicion, e ka relativizuar peshën e votuesit shqiptar.

Shkrimi i plotë i Izet Mexhitit:

Që nga viti 2002, BDI gjithmonë ka garuar e vetme në zgjedhje dhe ka refuzuar bashkëpunimin me cilëndo parti politike shqiptare. Për 22 vite në pushtet, BDI ka bërë koalicione herë me LDSM, herë me VMRO, por asnjëherë me partitë shqiptare apo me partitë e komuniteteve më të vogla. Prandaj sot, kur BDI flet për legjitimitetin e votës shqiptare e fshihet pas votuesve të komuniteteve më të vogla etnike, po ia rikujtojmë disa fakte esenciale:
Së pari, legjitimitetin e votës shqiptare në zgjedhjet e vitit 2024 e ka shkelur BDI dhe Ali Ahmeti. Në vitin 2006, BDI thirrej në legjitimitetin e votës shqiptare sepse atëbotë i përfaqësonte vetëm votuesit shqiptarë. Sot, bartëse e legjitimitetit etnik të shqiptarëve nuk është BDI, por është VLEN, sepse BDI udhëheq një koalicion shumëetnik dhe prandaj përfaqëson një legjitimitet shumëetnik, ndërsa VLEN përfaqëson vetëm partitë politike të komunitetit shqiptar në vend.
Së dyti, koalicioni shumëetnik i Ali Ahmetit i quajtur “Fronti evropian”, e cënon identitetin shtetformues të shqiptarëve të Maqedonisë. Marrëveshja e Ohrit paraqet kornizë juridike për avancimin e të drejtave kolektive të të gjitha grupeve etnike në Maqedoninë e veriut, por në esencën e vet ajo vendos themelin për ndërtimin e shqiptarëve si element shtetformues në Maqedoni. Shqiptarët me Marrëveshjen e Ohrit bëhen të barabartë me maqedonasit. Ndërkaq, shqiptarët me “Frontin evropian” bëhen të barabartë me komunitetet më të vogla në vend. Për pasojë, “Fronti evropian” e ruan vijën ndarëse, gjegjësisht vijën e diskriminimit duke i lënë maqedonasit si popull i parë – dominant, ndërsa duke i grumbulluar shqiptarët me grupet tjera etnike në rang të dytë, gjegjësisht si popull apo grup i margjinalizuar.
Së treti, pikërisht Ali Ahmeti dhe “Fronti evropian” e kanë relativizuar peshën e votuesit shqiptar dhe e kanë aktualizuar pyetjen përse duhet të ekzistojë organizimi politik i shqiptarëve si koncept politik në Maqedoninë e veriut?! Po qe se shqiptarët në Maqedoninë e veriut duhet të organizohen politik në bllok të komuniteteve më të vogla ku bëjnë pjesë turqit, boshnjakët e të tjerët, atëherë Ali Ahmeti me vetëdije e ka rikthyer majorizimin e shqiptarëve dhe rikthimin e tyre në nivelin e popujve pakica.
Për qeverinë e re të Maqedonisë së veriut janë duke negociuar fituesi shqiptar me fituesin maqedonas. Këto dy grupe etnike janë shtylla mbi të cilën ngritet shteti jonë. Shqiptarët më 8 maj vendosën që këtë herë me votë ta legjitimojnë koalicionin VLEN si përfaqësues të vullnetit të tyre. Dhe ky vullnet do të materializohet në mënyrë dinjitoze dhe me nder e përgjegjësi. Komunitetet më të vogla etnike, turqit, romët, boshnjakët dhe të tjerët janë të gjithë të mirëseardhur që të na bashkangjiten. Ato do të jenë të çmuara e të respektuara në shumicën e re parlamentare.
Qeverisja despotike e Ali Ahmetit po përfundon. Në politikën shqiptare në Maqedoni të veriut koalicioni VLEN, si bartës i legjitimitetit etnik të shqiptarëve, po nis një kapitull të ri të politikëbërjes, dhe një traditë të re të qeverisjes. Nuk mund të jetë ndryshe. Marrëveshja e Ohrit nuk e lejon ndryshe. VLEN nuk e lejon ndryshe.