Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve i miratoi ankesat në shtatë vendvotime, transmeton Portalb.mk.
Ankesat e pranuara nga KSHZ:
Zhelinë, VV 2101 i parashtruar nga koalicioni “Vlen”
Ohër, VV 1272 i parashtruar nga koalicioni “Maqedonia jote”
Krushevë, VV 1194 dhe VV 1202 i parashtruar nga koalicioni “Maqedonia jote”
Strugë, VV 1844 i parashtruar nga koalicioni “Maqedonia jote” dhe koalicioni “Për Ardhmëri Evropiane”
Dollnen, VV 1470 dhe VV 1470/1 i parashtruar nga koalicioni “Maqedonia jote”
Ankesat tjera për vendvotimet në Manastir, Resnjë, Gostivar, Dollnen, Strugë, Kërçovë, Demir Hisar, Çair, Gazi Baba, janë refuzuar ose tërhequr.
Çdo palë e interesuar ka të drejtë të parashtrojë padi në Gjykatën Administrative në afat prej 24 orësh pas vendimit të KSHZ-së, ndërsa Gjykata Administrative vendos në afat prej 48 orësh pas padisë së parashtruar. Pas vendimit të Gjykatës Administrative, KSHZ do të dalë me raport përfundimtar për rezultatet, përkatësisht nëse ka vendvotime në të cilat do të anulohet votimit, në mënyrë plotësuese do të bëhet simulim nëse numri i votuesve të regjistruar në vendvotimet në të cilat do të ishte anuluar votimi, ndikon në rezultatin e shpërndarjes së mandateve.
Varësisht prej kësaj, KSHZ do të miratojë konkluzion sipas vendimeve të Gjykatës Administrative, për rivotim eventual në vendvotime të caktuara.
Për rezultatet e zgjedhjeve, në KSHZ janë dorëzuar 27 ankesa – nëntë nga koalicioni “Vlen”, tetë nga VMRO-DPMNE, pesë nga LSDM dhe katër nga e Majta. Kryetari i KSHZ-së, Dashtevski, në seancën e KSHZ-së theksoi se bëhet fjalë për ankesa grupore në disa vendvotime.
Koalicioni “Fronti Evropian”, i udhëhequr nga BDI, pretendon se partitë politike maqedonase në koordinim me koalicionin “Vlen” dëshirojnë t’i heqin një deri në dy mandate parlamentare përmes KSHZ-së.