VMRO i përgjigjet Ahmetit: Mos bëjë si fëmijë i lazdruar pas lodrave që nuk janë tuajat
Qëndrimi i VMRO-DPMNE-së ndaj BDI-së nuk ka lidhje me qëndrimin ndaj shqiptarëve, thonë nga partia e Mickoskit, si reagim për konferencën për media të Ahmetit. Sipas tyre, nëse dalja e BDI-së në opozitë është shkelje e Marrëveshjes Kornizë, atëherë edhe Ali Ahmeti e ka shkelur atë kur vendosi ta lërë VMRO-DPMNE-në jashtë qeverisë dhe nuk respektoi rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2016. Nëse Ahmeti mendon se kërkesat e reja dhe antishtetërore etnike të përkthyera në dokumente dhe platforma do ta shpëtojnë atë nga dalja në opozitë dhe fshehja e krimeve të partisë së tij, ai duhet të dijë se kjo do t’i japë fund shpejt karrierës së tij, thonë nga VMRO.
“Nuk ka as majorizim, as shovinizëm, as nuk ka rëndësi që Ahmeti është ndjerë i ofenduar, e rëndësishme është që vullneti i shumicës është që BDI të shkojë në opozitë dhe të përballet me përgjegjësi. Respektimi i Marrëveshjes së Ohrit nuk ka të bëjë me faktin nëse BDI është pushtet apo opozitë. Ahmeti duhet të mos sillet si një fëmijë lazdran që qan për një lodër që nuk është e tij, sepse VMRO-DPMNE nuk është LSD dhe as largimi BDI-së nuk ka lidhje me qëndrimin e VMRO-DPMNE-së ndaj shqiptarëve. Sepse BDI nuk janë vetëm shqiptarët në Maqedoni, BDI është segmenti që ka vjedhur si nga shqiptarët ashtu edhe nga maqedonasit”, thanë nga VMRO-DPMNE.
VLEN thotë se është përfaqësuesi legjitim i shqiptarëve nga këto zgjedhje. Kreu i Besës Bilall Kasami thotë se në zgjedhjet e ardhshme, Ahmeti duhet të garojë me lista të pastra shqiptare.
Kreu i ri i Kuvendit Afrim Gashi, i pyetur për bojkotin e Frontit Evropian gjatë votimit dhe fjalimit të tij një ditë më parë, tha se do të bëjë përpjekje që opozitën dhe të gjithë deputetët t’i trajtojë njësoj.
“Nuk dua të komentoj, është çështje e tyre. Ata me siguri tani hynë në një fazë të opozitarizmit. E respektoj qëndrimin e tyre por legjitimiteti është evident. Fshati që digjet nuk do kallauz. VLEN-i me 107 mijë vota ka marrë legjitimitetin e plotë të shqiptarëve. Jam shumë ihapur për bashkëpunim me çdo parti politike dhe këtë e them me sinqeritetin më të madh. Ata do të kenë hapësirë shumë të madhe në parlament. Unë do të mundohem vazhdimisht t’u jap hapësirë për opozitarizëm, për kritikë, për futje të pikave të rendit të ditës…”, u shpreh Afrim Gashi, kryetar i Kuvendit.