Komuna e Dragashit ka bërë të ditur se si pasojë e reshjeve të dendura janë shkaktuar dëme të mëdha materiale në fshatra të ndryshme të trevës së Opojës. Sipas njoftimit dëme ka pasur në infrastrukturë, amvisëri, biznese e bujqësi.
“Pas reshjeve të mëdha të shiut dhe breshrit nga ora 12:00 e ditës së sotme, si pasojë e bllokimit të urave dhe daljes së lumenjve nga shtrati, janë shkaktuar vërshime të mëdha të cilat kanë shkaktuar dëme të mëdha materiale, si në rrugë publike, shtëpi, ura, shtylla elektrike, biznese, kultura bujqësore, objekte blegtorale dhe dëme të tjera në rrjetin e kanalizimit dhe ujësjellësit, si dhe në mjete motorike, pajisje të ndryshme teknike etj. Në bazë të informacioneve që kemi pranuar nga stafi komunal i cili është në terren, Njësia e Zjarrfikësve dhe qytetarët, më të dëmtuara janë fshatrat Kuk, Bresanë, Kosavë, Pllajnik, Zaplluxhe dhe Kuklibeg”, thuhet në njoftim.
Aty theksohet se kryetari i Komunës, Bexhet Xheladini dhe Drejtoria e Shërbimeve Publike, si dhe stafi i Emergjencave, kanë ndërmarrë masat e nevojshme dhe kanë kërkuar ndihmë si nga organet qendrore, ashtu dhe nga Komuna e Prizrenit. “Gjithashtu, përveç mjeteve motorike si traktorëve, kamionëve dhe mjeteve të shërbimeve të Njësisë së Zjarrfikësve, kemi kontaktuar edhe biznese private të Komunës sonë, nga të cilët kemi kërkuar që të angazhojnë eskavatorët e tyre në fshatrat ku ka nevojë”.
Sipas Komunës, në këto momente nevojitet solidariteti dhe bashkëpunimi i të gjithë banorëve, në mënyrë që të tejkalohet kjo sfidë. “Andaj, apelojmë te të gjithë njerëzit dhe bizneset të cilët posedojnë mjete, që t’u dalin në ndihmë të gjithë atyre që kanë nevojë për të sanuar dëmet e shkaktuara nga vërshimet. Edhe pse dëmet janë shumë të mëdha, falë Zotit deri më tani nuk kemi asnjë viktimë në njerëz apo ndonjë person të lënduar”.
Krahas zyrtarëve komunalë në terren janë edhe ekipet e Zjarrfikësve, të QKMF-së dhe Policia.
“Kryetari i Komunës, nesër do të mbajë mbledhje urgjente të Qeverisë Komunale dhe, sipas dispozitave ligjore për menaxhimin e fatkeqësive natyrore, do të shpallë gjendjen adekuate, bazuar në gjendjen e krijuar pas vërshimeve”, përfundon komunikata.