Ish-kryeministri i Shqipërisë, Pandeli Majko ka rrëfyer një episod që mund të kishte çuar në përplasje direkte Shqipërinë me Maqedoninë gjatë luftës së Kosovës më 1999.
Ai kujton se si në vitin ’99, kur Shkupi zyrtar bllokoi kufirin duke penguar për më shumë se 1 javë kalimin e shqiptarëve të Kosovës drejt Shqipërisë, është detyruar që të kërcënojë direkt Maqedoninë.
“Ne patëm një debat shumë të ashpër me qeverinë e kohës së Shkupit dhe u detyruam të hapim kufijtë edhe me Maqedoninë dhe brenda një dite mund të kenë kaluar kufirin në drejtim të Korçës 30-35 mijë. Ka qenë situata në fillim kur qeveria e Maqedonisë bllokoi gjithë refugjatët që ishin në kufirin mes Kosovës dhe aty përreth një javë a 10 ditë, u bë një tmerr i vërtetë. Dhe ta quajmë kështu ne kërcënuam dhe kërcënuam me të drejtë. Pas disa ditësh ministri i Jashtëm i Greqisë dhe që u bë interlokutor, zoti Papandreu, së bashku me ministrin e Jashtëm të Maqedonisë, erdhën në zyrën e Kryeministrit të Shqipërisë, dhe përfaqësuesi i palës maqedonase kërkoi ndjesë zyrtare për atë që kishte ndodhur në kufi”, u shpreh Majko në A2CNN.
Ai zbulon se fqinjin lindor e kërcënuan drejtpërdrejtë duke i thënë se në rast bllokimi të mëtejshëm të kufirit, Shqipëria do t’u bëjë thirrje shqiptarëve në Maqedoni për t’u ngritur kundër shtetit dhe për të mbrojtur vëllezërit nga Kosova.
“Ose hapni kufirin ose…. do t’u bëjmë thirrje shqiptarëve të ngrihen dhe të mbrojnë vëllezërit e tyre. Dhe, nuk ka gjë më të paimagjinueshme që mund të ndodhte në atë moment, sepse shqiptarët e Maqedonisë janë shumë më të rezervuar për të ndërmarrë lëvizje të natyrave siç mund të ndërmarrin shqiptarët në Kosovë, por shpërthimin e kanë më të veçantë”, deklaroi ish-kryeministri shqiptar i kohës së luftës në Kosovë, Pandeli Majko.