Edhe rreth 100 dëshmitarë kanë mbetur për të dëshmuar në gjykimin ndaj krerëve të Ushtrisë Çlirimtare në Hagë.
Këtë deklaratë e kishte bërë të ditur prokurori i Prokurorisë së Specializuara në seancën e para disa javësh.
Deklarata e tij u konfirmua edhe nga Gjykata Speciale, e cila megjithatë kërkoi reduktim sa më të madh të numrit të dëshmitarëve dhe të kohës për t’i marrë në pyetje dëshmitarët.
“Në fillim të kësaj jave, prokuroria tha se synojnë të thërrasin edhe 104 dëshmitarë të tjerë dhe gjithashtu në dosjet e fundit do të ofrojnë ndryshime të mundshme në listën e tyre të dëshmitarëve në tetor të këtij viti. Pra, ne kemi 13 muaj në proces dhe jemi në mes të procesit të prokurorisë duke paraqitur dëshmitarët e saj…Është e vështirë të thuhet saktësisht sesa do të të jenë ata”, tha zëdhënësi i Speciales, Michael Doyle.
Sipas Michael Doyle, procesi i gjykimit nuk dihet kur do të përfundojë.
“Është shumë e vështirë të vlerësohet koha e përgjithshme e gjykimit sepse pasi prokuroria të përfundojë, atëherë ekipet mbrojtëse do të kenë mundësinë të kërkojnë lirimin nga akuzat dhe të presin ndonjë rezultat….Ajo që mund të them është se gjatë vitit të kaluar gjyqtarët e trupit gjykues kanë ndërmarrë hapa, duke përfshirë organizimin e seancave të veçanta, nxjerrjen e urdhrave ose miratimin e masave të caktuara me synimin për të siguruar që gjykimi të vazhdojë sa më shpejt që të jetë e mundur”, tha zëdhënësi.
Ky numër dëshmitarësh ka shtuar pikëpyetjet nëse Prokuroria e Specializuar e Hagës do të mund ta përfundojë rastin e saj deri në prill të vitit 2025, ashtu siç ishte zotuar. Për këtë shkak, trupi gjykues kishte lëshuar disa urdhra ndaj ZPS-së, por edhe mbrojtjes.
“Së fundi, në përputhje me sygjerimin që bëri mbrojtja e Thaçit, trupi gjykues urdhëron ZPS-në të na japi një planifikim të hollësishëm se si planifikon t’i paraqesin provat deri më 1 prill 2025. Ky plan duhet t’i jepet trupit gjykues jo më vonë se 21 qershori 2024. Kjo duhet të përfshijë: dëshmitarët që kërkon të thërrasë gjatë kësaj periudhe kohore dhe rendin, orët që mendon se nevojiten për pyetje Prokurorisë, cilët dëshmitarë do të jenë sipas rregullës 153, dhe cilët sipas rregullit 154, cilët dëshmitarë të mbetur do të përdoren sipas rregullës 155 për periudhën e mbetur, gjashtë çdo mocion jogojor që do të dorëzohet, cilët prej dëshmitarëve do të jenë me video-lidhje, dhe të artikulojë çdo faktor në zbatimin e planifikimit të propozuar”, tha gjyqtari.
Në seancën ku u diskutuan afatet kohore, doli se trupi gjykues ka shpenzuar më shumë kohë për pyetje se avokatët.
Avokati i Veselit, Ben Emmerson, bëri të ditur se sipas matjeve, më shumë kohë për të intervistuar dëshmitarët kanë shfrytëzuar gjyqtarët, se mbrojtja e Veselit.
Ai kërkoi që edhe gjyqtarët ta bëjnë kursimin e kohës.
“Dhe ne e kemi kuptuar kështu që ju ia kishit bërë të qartë Prokurorisë sepse vetëm 2 vjet kishin në dispozicion, dhe tani i vihet përgjegjësia mbrojtjes, dhe jemi në situatë ku ky parashikim nuk do të respektohet kurrsesi. Qoftë për faj të mbrojtjes, apo prokurorisë, apo të dyja palëve. Fakti është që mbrojtja e Veselit ka kërkuar vetëm 43 orë e 33 minuta për kundërpyetjet. Trupi gjykues ka përdorur 44 orë e 36 minuta”, tha Emmerson.
Siç theksoi avokatja tjetër e Veselit, Ann Rowan, gjyqtarët po nxjerrin pyetje që që nuk parashikohen nga mbrojtja.
”Trupi gjykues tani merr një kohë të konsiderueshme, që është më shumë se koha që duan të gjitha ekipet e mbrojtjes së bashku. Çfarë ndodhë me pyetjet e gjykatësve është që shpesh trupi gjykues zbulon aspekte të reja, të cilat si ka përdorur Prokuroria tek provat e veta”.
”Trupi gjykues nxjerr dëshmi që nuk janë specifikuar përpara nga Prokuroria, dhe gjithashtu bëjnë pyetje në lidhje me aspektet që s’i ka parashikuar as mbrojtja në pyetjet e veta. Dhe ne jemi krejt të papërgatitur dhe kjo më pas ndikon tek koha që na nevojitet ne për të bërë pyetjet, në bazë të pyetjeve të gjykatësve”, tha ajo.
Kjo bëri që më pas të ketë edhe një përplasje ndërmjet avokatit Emmerson e kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith.
Avokat i Kadri Veselit është ‘kapur’ me kryegjyqtarin Smith lidhur me faktin se gjykimi po stërzgjatet, raporton Nacionale.
Ben Emmerson ka kërkuar që të shkurtohet koha, pasi kanë mbetur edhe 101 dëshmitarë për t’u ftuar.
“Ky gjykim duhet të kryhet në afat të arsyeshëm. Nuk mund të fajësoni mbrojtjen për fajin e Prokurorisë e cila e ka barrën e provës”, tha Emmerson.
“Nuk mund ta gjuani fajin tjetër kund”, ia ktheu gjyqtari Smith.
“Unë nuk po ofendoj njeri”, tha Emmerson.
“Unë thashë që po e fyeni Prokurorinë. Sa herë që ngriheni e merrni fjalën. A e ndalim me kaq”, ia ktheu Smith.