Zjarri i rënë pasditen e djeshme në Shkodër në tregun e rrobave të përdorura, la të shkrumbuar 25 njësi tregtare. Ditën e sotme ku në vendin ku ishte tregu ka mbetur vetëm hiri, dhjetëra tregtarë bëjnë apel për ndihmë, pasi i gjithë malli që ata kishin është djegur.
Ata shprehen se situata është shumë e vështirë pasi me mallin e shkrumbuar që vlente miliona lekë, duhet të siguronin jetesën dhe të mbanin familjet.
“Tregtoj prej 20 e ca vitesh. Kemi pasur miliona lekë mall. Shkaqet e zjarrit nuk i dimë. Ne ishim në shtëpi. Ç’më duhet shkaku kur më është shkrumbuar gjithçka. Shteti duhet të bëjë tregun e të na thotë e keni këtu. Ku ishte shteti kur u detyruam në të hynim aty?”, shprehet një tregtare.
“Kemi shtëpi kemi familje dhe ata duam bukë. Shteti i do dritat e ujin”, thotë një tjetër.