Ivica Daçiq, zëvendëskryeministër i Serbisë, e ka quajtur gënjeshtër deklaratën e Artan Hajriziti, të dyshuarit për vrasjen e policit serb, kinse vëllai i tij, Fatoni, ia ka marrë dokumentet.
Artan Hajrizi ishte konsideruar fillimisht si i dyshuari kryesor për vrasjen dhe plagosjen e një polici serb sot në Loznicë gjatë një kontrolli rutinor, mirëpo i njëjti kishte mohuar përfshirjen e tij në këtë rast ndërsa fajin ia kishte hedhur vëllait të tij, Fatonit.
Lidhur me deklarimet e Artanit ka reaguar zëvendëskryeministri i Serbisë dhe ministri i Punëve të Brendshme, Ivica Daçiq. Sipas tij deklaratat e Artanit janë të rreme.
“Personi të cilit i ka dokumentet në policinë tonë, Artan Hajrizi, sot në orën 11:55 ka deklaruar në policinë e Hanoverit se pardje vëllai i tij Fatoni i ka vjedhur dokumentet personale në banesën e tij në Hanover. Është një gënjeshtër klasike, sepse sipas cilës logjikë një person nga Hanoveri kthehet ilegalisht në Preshevë dhe tenton të shkojë sërish ilegalisht në Gjermani?! Kjo tregon qartë se është rënë dakord më herët dhe se është një akt i organizuar. Policia gjermane duhet të përgjigjet urgjentisht nëse Fatoni ka qenë në Hanover dhe si ka hyrë e ka dalë dhe si ka përfunduar në Preshevë dhe pse, me çfarë qëllimi? Pasoja e atij akti dhe organizimi terrorist është vrasja e një polici dhe për këtë kërkojmë dhe presim bashkëpunim të plotë me policinë gjermane dhe EULEX-in dhe jo gënjeshtra që askush nuk i beson”, tha Daçiq.
Në sulmin në Loznicë ka mbetur i vrarë polici Nikolla Krsmanoviq (34-vjeç), ndërsa kolegu i tij Vjekoslav Iliq (50-vjeç) është plagosur.