Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, pas intervistimit nga Prokuroria Speciale e Kosovës është prononcuar për media, duke akuzuar këtë institucion se po tenton të pengojë punën e saj.
Ajo tha se rasti i parë për të cilin është intervistuar ka qenë “me përpjekjen e prokurorëve dhe gjyqtarëve për takime, për favore etj”.
Ajo tha se ka shprehur “fenomenin që ekziston” dhe se ka përmendur emra.
“Kam shpjeguar dy raste me të cilën jam përballe si ministre e drejtësisë, por nuk do të flas. Kam përmendur emra të përveçëm”.
Rasti i dytë, ajo thotë se ishte postimi i saj në Facebook për qëllimet e Serbisë për të akuzuar Kosovën për rastin e vrasjes së policit në Serbi nga një shtetas i Kosovës.
“Reagimi im nuk vjen si një deklarim i mendimi personal, por pas takimeve të shumta që i kemi pasë sidomos pas largimit të Faton Hajrizit në Smrekonicë. Pas këtij rasti, kemi mbledhur edhe policinë dhe institucionet e inteligjencës”.
Ajo tha se Prokuroria “zgjohet” vetëm pas reagimit të saj dhe tha se ajo është dashur të jetë vigjilente për qëllimet e Serbisë në Kosovë.
“Prokuroria rri më shumë ne profile të mia në rrjete sociale sesa që merret me punë me përgjegjësitë që ka. Është për t’u duartrokitur që më përcjellin edhe në debate televizive”.
Ajo ka thënë se më e udhës ka qenë e që Prokuroria “të më ftoj si bashkëpunim.”
“Përpjekjet e tyre tregojnë shumë për qasjen që kanë, por edhe motivet që mund të kenë. Të tjerat s’po i paragjykoj njëherë. Njëra nga pyetjet që më është parashtruar: çka ke menduar ti me ndikimin e Serbisë me burgjet e Kosovës? Mund të hyni në Facebook nëse kam përmendur ndikimin e Serbisë në burgjet e Kosovës. Kjo nuk qëndron, këtë e ka thënë PDK dhe ca analistë, që qëllimshëm kanë keqinformuar opinionin”.